Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me arrestimin e italianit të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Davide Pecorelli. Me anë të një njoftimi për mediat, janë publikuar detaje në lidhje me arrestimin e italianit në shtetit fqinj, ndërsa ka bërë me dije se ai akuzohet për 5 vepra penale, mes të cilave, “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
“Policia e Shtetit/ Vijon shkëmbimi i informacionit me partnerët, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht. Finalizohet nga Policia italiane, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, operacioni policor i koduar “Perugia”. Kapet dhe vihet në pranga një shtetas italian, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie nga Gjykata e Pukës, për një sërë veprash penale.
Në vijim të bashkëpunimit policor me partnerët italianë, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, mbrëmjen e sotme, në Perugia, Itali, Policia italiane, në bazë të kërkesave të autoriteteve policore dhe të drejtësisë shqiptare, falë shkëmbimit të informacionit mes policive të të dy vendeve, finalizoi operacionin policor të koduar “Perugia”, në kuadër të të cilit kapi dhe vuri në pranga shtetasin italian D. P., 47 vjeç.
47-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Ky shtetas, në janar të vitit 2021, inskenoi ngjarjen e vrasjes së tij dhe djegies së trupit. Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit shqiptar dhe Prokuroria e Pukës, në bashkëpunim me homologët italianë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe lokalizimi i shtetasit D. P., në një ishull. Arrestimi i 47-vjeçarit, nga Policia italiane mbrëmjen e sotme në Perugia, u bë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.”
Policia e Shtetit