
Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, me qëllim t’i japin fund përleshjeve kufitare që kanë shkaktuar dhjetëra viktima. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri i Malajzisë, Anëar Ibrahim, pas një takimi të zhvilluar mes liderëve të dy vendeve në Kuala Lumpur.
Sipas deklaratës së përbashkët të lexuar nga Anwar, kryeministri kamboxhian Hun Manet dhe kryeministri në detyrë i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, kanë rënë dakord që armëpushimi të hyjë në fuqi nga mesnata e 28 korrikut.
“Të dy palët kanë arritur një mirëkuptim të përbashkët për të ndërmarrë hapa konkrete drejt normalizimit të situatës,” tha Anëar Ibrahim gjatë deklaratës për mediat.
Vendimi vjen pas përfshirjes së presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar se vazhdimi i luftimeve mes dy vendeve do të dëmtonte mundësitë për marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara. Trump bëri publike ndërhyrjen e tij në rrjetin e tij social “Truth Social” të shtunën, ku tha se kishte komunikuar me liderët e të dy vendeve dhe i kishte nxitur të uleshin për negociata.
Pavarësisht dakordësisë për armëpushim, gjatë zhvillimit të bisedimeve janë raportuar ende përplasje të armatosura në zonat kufitare, sipas burimeve ushtarake nga të dyja palët.
Komente