Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme, ka pritur sot zyrtarisht prokurorin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.

Prokurori Hajdarmataj kryeson hetimin mbi përfshirjen e ish- ministrit të Brendshëm Tahiri në një organizatë kriminale të perceptuar dhe ndaluar nga Prokuroria e Catanias në Itali. Në krye të organizatës kriminale ndodhet një nga kushërinjtë e ish- ministrit Tahiri, Moisi Habilaj. Sipas dëshmive të fundit, Moisi Habilaj dhe Saimir Tahiri kanë përdorur bashkë të njëjtën makinë për transportin e drogës.

Pas disa polemikave se me ardhjen e Arta Markut në krye të prokurorisë së Përgjithshme do të ‘ndalen’ hetimet mbi dosjen ‘Tahiri’, Prokurorja e Përgjithshme ka pritur sot në zyrë Prokurorin Hajdarmataj për t’i dhënë mbështetje në vazhdimin e hetimeve pa kompromis.

Njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme:

Zonja Marku ia dha mbështetjen kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj kur e priti në Prokurorinë e Përgjithshme paraditen e së hënës, 22 janar 2018.

Prokurori i Përgjithshëm, znj.Arta Marku kërkon që Prokuroria e Krimeve të Rënda të vazhdojë pa hezitim dhe vendosmërisht punën dhe hetimet e filluara.

Kryeprokurorja znj.Marku garantoi bashkëpunim për hetime të vazhdueshme të çështjeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj kujtdo që shkel ligjin.

Prokuroria e Përgjithshme rithekson mbështetjen e nevojshme për çdo çështje, me çdo mjet dhe në çdo kohë, për të çuar përpara hetimet.

Prokuroria e Përgjithshme vë në dispozicion të Prokurorisë për Krimet e Rënda të gjitha burimet njerëzore dhe infrastrukturore për kryerjen me sukses të detyrave përputhshmërisht me ligjin”, thuhet në njoftim.

Veritas.com.al/