Ekzekutohet me armë zjarri Viktor Bardhi në Mirditë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Ndërfushas, ku 65-vjeçari është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij.

Sipas të dhënave paraprake, Bardhi dyshohet se është qëlluar me armë zjarri, ndërsa autorët janë larguar nga vendngjarja. Burimet për RTHS 24 bëjnë me dije se automjeti që dyshohet se është përdorur prej autorëve është gjetur më pas i djegur nga efektivët.

“Rreth orës 09:00, në fshatin Ndërfushas, është gjetur i pajetë në automjetin e tij, shtetasi V. B., rreth 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.  

Ngjarja rikthen në vëmendje historinë e familjes Bardhi. Në vitin 2023, vëllai i Viktorit, Martin Bardhi, u ekzekutua me armë zjarri në Rrëshen. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi në ambientet e jashtme të lokalit të tij, në një ngjarje që në atë kohë u shoqërua me dyshime për konflikte të mëparshme dhe hakmarrje.

Për shkak të historisë së mëparshme, një nga pistat që pritet të verifikohet nga hetuesit është ajo e hakmarrjes dhe një lidhje e mundshme mes dy ngjarjeve.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, ndërsa veprimet po kryhen nën drejtimin e Prokurorisë.

Kush ishte Martin Bardhi?

Martin Bardhi ka qene person i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi ka qene një nga personat që ka tentuar të vrasë Saimir Recin, nipin e Kastriot Reçit, edhe ky i eliminuar më parë.

Shkak i konfliktit mes Enrik Bardhit (djalit të Martin Bardhit) dhe Saimir Reçit ishte bërë parakalimi me makinë në rrugën kryesore të qytetit, që është shoqëruar dhe me të shtëna me arme zjarri.

Saimir Reçi dhe Enrik Bardhi kanë zbritur nga automjetet dhe janë përplasur fizikisht me njëritjetrin në mes të qytetit.

Më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe së bashku me të atin, Martin Bardhi kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte nipi i Kastriot Reçit, pronarit të televizionit lokal në Lezhë, i vrarë me snajper në muajin janar të vitit 2021 në Rrëshen.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *