TIRANË– Krahu i djathtë i Emiliano Shullazit, Gilmando Dani u ekzekutua me breshëri plumbash pasditen e së martës, shumë pranë aeroportit të Rinasit.
Në momentin e atentatit, Dani ishte në makinë së bashku me Muçi Shaljani (Sheqeri), i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje kritike për jetën.
Referuar grupit hetimor, gazetarja e ABC News, Bleona Prengezaj, thotë se Policia dhe grupi hetimor po këqyrin pamjet e kamerave të sigurisë, me qëllim zbardhjen e dinamikës së krimit.
Deri tani raportohet se Policia ka zbuluar një person, i cili ka mbajtur në monitorim lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit.
“Një person ka vëzhguar lëvizjet, që në momentin kur kanë dalë nga aeroporti deri kur kanë hipur në makinë tip Benz. Ky person ka qenë me syze, por në pamjet e sekuestruar shikohet të ketë hequr syzet në një moment.”, raportoi gazetarja.
Ata po ktheheshin nga Barcelona, ndërsa në dalje të Rinasit u pritën me breshëri plumbash.
Deri tani nuk ka ende asnjë person të arrestuar./abcnews.al