Pas skandalit me publikimin e videos, ku zëvendës-kancelari austriak, Heinz-Christian Strache, tregohet i gatshëm që t’i japë një oligarkeje ruse mbështetje për tenderë publikë, në rast se FPÖ do të ishte pjesë e qeverisë pas zgjedhjeve, kjo në këmbim të mbështetjes financiare, ka ardhur edhe dorëheqja e tij.

Më herët kancelari Kurz kishte përjashtuar mundësinë e mëtejshme të bashkëpunimit me zëvendëskancalerin dhe kreun e partisë së lirë, FPÖ, Heinz-Christian Strache, dorëheqja e të cilit ishte e pritshme.

Në një filmim të fshehtë nga viti 2017 Heinz-Christian Strache tregohet i gatshëm që t’i japë një oligarkeje ruse mbështetje për tenderë publikë, në rast se FPÖ do të ishte pjesë e qeverisë pas zgjedhjeve, kjo në këmbim të mbështetjes financiare.

Videoja e shpërndarë nga “Spiegel” dhe “Süddeutsche Zeitung” bën fjalë për një ide të oligarkes për të blerë gazetën austriake me tirazhin më të lartë “Kronen Zeitung”, që të mbështesë FPÖ para zgjedhjeve. Prokuroria ka filluar hetimet. Në zgjedhjet e fundit FPÖ arriti 26% të votave.

Pyetja që shtrohet është nëse kancelari Kurz do të vazhdojë koalicionin me FPÖ apo do të kërkojë zgjedhje të reja. Si pasues i mundshëm konsiderohet kandidati i dikurshëm për president nga FPÖ, Norbert Hofer.

Veritas.com.al/