Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në studion e Ditari në A2, u shpreh se, sipas Kushtetutës, Presidenti mund ta shpërndajë Parlamentin vetëm në një rast.
Meta u shpreh kështu ditën e sotme: “Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese. Parlamenti me një dekret shpërndahet, Qeveria me një dekret shpërndahet. Presidenti, me një “impeachment” shkarkohet nga një Parlament legjitim. Përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë”.
Sipas Ngjelës, Meta mund ta nxjerrë një dekret të tillë, “por kjo e çon në burgim të përjetshëm”.
“Presidenti mund të shpërndajë Parlamentin vetëm kur nuk del mazhoranca. Kur nuk zgjidhet dot kryeministri ose Presidenti, thërriten palët dhe më pas shpërndahet Parlamenti”, theksoi Ngjela.
“Pyetja që duhet bërë është pse është çmendur Presidenti? Një njeri normal, që do shtetin, nuk vepron kështu. E ka humbur ekuilibrin sepse është kërcënuar. Gjykata Kushtetuese do të gjykojë Presidentin dhe ai ka konflikt interesi. Kjo gjykatë që po formohet është njësoj si ajo që Meta bleu kur u akuzua për 700 mijë euro me zë. Ky kërkon të krijojë gjykatën e tij, por ka vetëm firmën. Me 94 vota ai Parlament bën çfarë të dojë. Parlamenti është sovran i popullit, jo Presidenti. Presidenti do të shkarkohet dhe do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe kërkon që të vërë njerëzit e vet atje. Meta po sjell turbullirë të madhe në shtet dhe shteti ynë është i papërgatitur për këtë. Mazhoranca ka bërë gabim që nuk e ka shkarkuar ende. Nëse do ta shkarkonte, Presidenti nuk do të kishte më forcë juridike. Nuk do të nxirrte dot asnjë akt. Meta kërkon të shpëtojë veten me akte antikushtetuese”, shtoi më tej Ngjela.
Por avokati Ngjela mendon se Presidenti nuk është shkarkuar pasi të gjithë aktorët e politikës duan turbullirë, pasi kanë frikë antikorrupsionin: “Pse u vonua shkarkimi? Sepse të gjithë duan turbullirë, pasi kanë frikë antikorrupsionin. Autoriteti amerikan e ka sjellë të gjithë këtë”.
Në lidhje me betimin te noteri të Arta Vorpsit, Ngjela tha se bëhet fjalë për një praktikë amerikane: “Është nocion amerikan, sa herë që bllokohet shteti. Edhe Presidenti noter është. Presidenti mund të vendosë të rrëzojë shtetin, atëherë çfarë duhet bërë? Ta lëmë ta rrëzojë? Ka pasur precedentë të mëparshëm. Amerikanët vetë u kanë thënë që të shkojnë në noter dhe merr fund loja”.
VERITAS.COM.AL/