Pas disa orësh proteste para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, qindra protestues marshuan mbrëmjen e kaluar, rreth mesnatës, drejt banesës së 25-vjeçarit Klodian Rasha, që u vra nga policia.

Pasi kanë mbërritur te banesa e të ndjerit, ka qenë babai i 25-vjeçarit, Qazim Rasha, që i prekur tej mase ka dalë dhe ka falënderuar protestuesit, duke iu uruar që të kenë vetëm ditë të lumtura në familjet e tyre dhe të mos kalojnë atë që po kalon ai vetë.

Ju lutem, mos më vini gjëra që nuk e kam në karakterin tim, familjen time, fisin tim. Jam një qytetar, prej 50 vitesh banor i Tiranës, i kam shërbyer vendit, shtetit, kam punuar me ndershmëri.

Gëzoj respektin e familjes, të lagjes, të të gjithëve. Mos më vini, se unë nuk i shërbej askujt, vetëm familjes, ashtu siç duhet t’i shërbeni edhe ju. Mos më rëndoni me gjëra e lloj lloj formave, që nuk i imagjinoj, pse duhet bërë, kur është e qartë. Ju falënderoj të gjithëve, paçi të gjithë veç ditë të lumtura, jo këtë që kam unë”, iu tha babai i viktimës protestuesve.

Protesta filloi pasditen e të mërkurës dhe vijoi deri në orwt e mbrëmjes, Në parullat e tyre protestuesit kërkuan “Drejtësi për Klodianin” dhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi. Në parullat e tyre demonstruesit e cilësonin demokracinë në Shqipëri “jo funksionale dhe fallco”.

Protesta kaloi nga paqësore në dhunë ndaj policisë dhe institucioneve shtetërore. Tensionet me policinë nisën para Ministrisë së Brendshme, kur protestuesit qëlluan  me sende të forta  godinën e kësaj Ministrie dhe me hurma, frutin që kishte në duar i riu Klodian Rasha, kur u qëllua me armë zjarri.

VERITAS.COM.AL