Ngjarja e ndodhur të shtunën në mbrëmje në ora 7.50 mbasdite, në Golem të Kavajës, po qartësohet pak nga pak. Fillimisht u tha vetëm kaq: Një burrë 73 vjeç vrau me sëpatë gruan e tij 68 vjeçe”. Çifti jetonte në Tiranë. Sapo u tha vendngjarja “Golem”, menjëherë të vjen në mendje se të dy, burrë e gua mund të ishin me pushimet e verës. Golemi është një zonë turistike, e banuar nga banorë të përkohshëm, që vijnë më së shumti për sezonin e verës, ose në fundjavë.
Lajmi kishte deri përmasat e të pabesueshmes. Cila mund të ishte aryseja për një krim mes një çifti të kësaj moshe?!
Por ngjarja erdhi duke u qartësuar. Emri i vrasësit u bë i njohur si Veli Dervishi; ndërsa viktima quhej Shazivare Dervishi. Para aktit makabër kishte ndodhur një grindje në çift pse “Shazivarja e kishte bezdisur burrin me pyetje të llojit ‘ku ishe?’.
Sot, korrespondenti i gazetës “Panorama” sjell një detaj të ri. Menjëherë pas aktit kriminal, Veliu ka telefonuar djalin e tij të madh që banon në Tiranë dhe i ka thënë shkurt: “Hajde shpejt në Golem. Kam vrarë nënën tënde…”.
Po kaq qetësisht vrasësi, në krah të të birit, ka shkuar në rajonin e Policisë ku është dorëzuar. Ky ka tre fëmijë, djem, të cilët banojnë në Tiranë.