Gjeneral Bajram Begaj tashmë që është kandidat për President Republike ka depozituar te ministri i mbrojtjes dhe te Kryeministri kërkesën për dorëheqjen nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për shkak se ligji e kërkon dhe detyron që ushtarakët s’mund të zgjidhen në pozicione të rëndësishme politike.
Dekretimi i lirimit nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë duhet bërë nga Ilir Meta, cili i ka dhënë dritën jeshile kandidaturës së socialistëve. Në një reagim të zëdhënësit të presidentit, thuhet se Meta është në ndjekje të procedurës për zgjedhjen e zotit Bajram Begaj si President i ri i Republikës dhe do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.
“Lidhur me këtë çështje dhe specifikat e saj Presidenti Meta ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi.’- njofton presidenca, duke ju referuar dekretimit të dorëheqjes së Begajt, nga posti i Kreut të Shtabit të Përgjithshëm.
Presidenti Meta ndodhet në Stamboll, ku po merr pjesë në një forum ndërkombëtar.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha në mbledhjen e grupit parlamentar se shpreson që Meta të mos i krijojë probleme me dekretimin por gjithsesi së bashku me Komisionin e Ligjeve i kanë marrë masat.
“Besoj se kjo procedurë do të përfshijë brenda orëve në vijim edhe Presidentin aktual që do të bëjë lirimin dhe kjo nuk do të jetë mendoj beteja e radhës. Por kemi menduar edhe mënyrën e zgjidhjes nëse larg qoftë na krijohet ndonjë ngërç me Presidentin”, tha Balla.
Kryeministri Rama, kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla si dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve Klotilda Bushka, janë aktualisht në një diskutim të tre në Kryesinë e Kuvendit për të diskutuar mbi mënyrën se si do të procedohet më tej.
Në Kushtetutën e Republikës thuhet se Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike. “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”, thuhet në nenin 89 të Kushtetutës së Republikës. Ndërkohë, gradën gjeneralmajor mund ta mbajnë vetëm oficerët aktivë.