Në raportin e saj gjashtëmujor për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike nga 4.1% në 3.1 %.
“Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia shënuan rritje ekonomike prej 7.4% në 2021, pas një tkurrjeje prej 3.2% në 2020, e shënuar me hapje të konsiderueshme të vendeve të punës”, u tha në raport.
Rritja u nxit nga një rikthim jashtëzakonisht i fortë i konsumit, i ndihmuar nga stimujt fiskalë, kërkesa e ndrydhur dhe një relaksim në lëvizjet dhe kufizimet e udhëtimit, thuhet në raport.
Por lufta në Ukrainë shkurtoi rimëkëmbjen pas pandemisë.
“Ballkani Perëndimor tani përballet me një sërë sfidash të reja. Këtu përfshijmë rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, inflacionin e lartë dhe ngadalësimin e tregtisë dhe investimeve”, tha Linda Van Gelder, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
Deri në dhjetor 2021, çmimet e ushqimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor ishin rritur me 6.8% në 12.7% nga viti në vit, për shkak të ndërprerjeve të furnizimit.
Fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt përforcoi presionet inflacioniste.
Banka Botërore paralajmëroi se ekonomitë e rajonit rrezikojnë ndërprerje të mëtejshme të tregtisë dhe çmimeve të energjisë dhe ushqimeve nëse ka një luftë të zgjatur në Ukrainë, si dhe rreziqe të rifinancimit nëse kushtet e tregut të jashtëm financiar vazhdojnë të shtrëngohen.
“Me hapësirë të kufizuar fiskale, vendet do të duhet të peshojnë me kujdes kostot dhe përfitimet e angazhimeve të reja të shpenzimeve në përgjigje të çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve, duke u dhënë përparësi familjeve më të cenueshme”, thotë Sanja Madzarevic-Sujster, ekonomiste e lartë e bankës dhe një autore e raportit.
Raporti thoshte se në kontekstin e krizës energjetike në Evropë dhe ndikimin e saj të mundshëm në tranzicionin e energjisë së gjelbër, vendet e rajonit duhet të vazhdojnë me synimet e tyre afatgjata për të arritur sigurinë energjetike dhe qëndrueshmërinë si pjesë e agjendës së reformës së gjelbër.