Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është thirrur për tu paraqitur në prokurori nesër që në orën 09:00, për të dëshmuar në lidhje me dosjen “Toyota Yaris”.

Dje Prokuroria e Krimeve të Rënda, nëpërmjet një njoftimi shpërndarë për mediat konfirmoi ardhjen e katër prokurorëve belgë, të cilët do të asistojnë në marrjen në pyetje të liderit demokrat.

Prokurorët Belgë i kërkojnë Bashës përgjigjen e tre pyetjeve.

1-Si u informua Basha për sasinë prej 3,4 milionë Euro?

2-Cilat ishin informacionet ekzakte?

3-Kush ia dha zotit Basha këtë informacion?

Sipas medias, vetë kreu demokrat Lulzim Basha ka shprehur gatishmërinë e plotë të kontribuojë në hetimin e autoriteteve të drejtësisë belge, për të ndihmuar me informacionet që disponon në zbardhjen e lidhjeve kriminalo – politike në aferën e pastrimit të miliona eurove me garanci politike të përfaqësuesve më të lartë të kupolës së Rilindjes.

Hetimet për “Toyota Yaris” ku u sollën ilegalisht nga Belgjika 3.4 milion euro, po kryhen edhe në Shqipëri. Për këtë procedim janë arrestuar 4 persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë, Alfred e Elvis Vladi, për të cilët dyshohej se ishin personat që kanë porositur makinat “Toyota Yaris”. Katër të arrestuarit në Shqipëri janë Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri.

Lulzim Basha do të përgjigjet edhe mbi lidhjen që mund të ketë me këta persona.

Veritas.com.al/