Seanca plenare e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë, ka nisur me mungesën e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Kjo, për liderin e opozitës Lulzim Basha, dëshmon kapitullimin e qeverisë.

“Nëse s’duan të vijnë më në këtë sallë, atëherë të largohen sot dhe të çlirojnë Shqipërinë nga aleanca me krimin”, tha Basha në një replikë në Kuvend.

Ndërkohë, në 3 minuta të dhëna nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi për procedurë, kryeopozitari Basha kërkoi pezullimin e seancës për të thirrur kryeministrin Rama dhe ministrin Xhafaj.

“Pezullo seancën dhe thirr këtu Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën”, theksoi Basha.

Por kryeparlamenti Ruçi tha se duhet ndjekur rruga procedurale me një kërkesë për interpelancë me kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm.

Me 10 minuta pushim e ka ndërprerë seancën kryetari Gramoz Ruçi, pasi deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren e Kuvendit, duke mos lejuar zhvillimin normal të saj.

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, kreu demokrat Lulzim Basha sqaroi edhe bisedimet që ka pasur me zyrtarët gjermanë gjatë vizitës së tij në Berlin në fillim të javës.

Sipas tij, gjermanët janë të zhgënjyer nga Shqipëria, me lirimin e Saimir Tahirit, që po hetohet në gjendje të lirë për trafik droge, si dhe nga skandali i fundit që ka përfshirë Agron Xhafën, vëllain e ministrit të Brendshëm, i cili u zbulua në një audio-përgjim të rëndë i cili po hetohet, ndërkohë që rezulton edhe i dënuar për trafik droge. Sipas Bashës. Gjermania nuk do të japë votën e saj pro, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pas rekomandimit pozitiv që KE i ka bërë vendeve anëtare.

“Kam qenë në Berlin, i ftuar nga autoritetet më të larta gjermane për të diskutuar shqetësimin e tyre se situata politike në vend 6 javë pas largimit të Ramës nga Berlini nuk ka shkuar drejt përmirësimit por drejt përkeqësimit. Se Saimir Tahiri u lirua. Dhe e njëjta skemë po ndiqet për të mbrojtur vëllezërit Xhafaj. Në këto kushte është e paimagjinueshme që Bundestagu të rekomandojë hapjen e negociatave. Keni shkuar mbrapa në raport me demokracinë, me luftën ndaj krimit dhe korrupsionit”, tha Basha

Veritas.com.al/