Frrok Çupi/

Sa shumë pyetje janë bërë deri tani se “çfarë po ndodh?” me protestën popullore të drejtuar nga Opozita me motivin “zgjedhje të lira dhe të drejta”. Por shumica kanë mbetur: o pa përgjigje, o me përgjigje të “lehta”.

Kryetari i PD, në një bashkëbisedim të mbajtur dje para protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tek po iu përgjigjej pyetjeve, tha se zhvillimet do të jenë sipas “Trump Style”. Për herë të parë pas fitores krejt të veçantë të presidentit Trump në Amerikë, në një shfaqje publike të politikës shqiptare përcaktohet trendi: “stili Trump”.

Sot, pas takimit të reporterit të BE, Knut Flenckenstein me kryeministrin Rama, ku me sa duket u fol kundër idesë së protestës, zoti Basha u kthye menjëherë te protestuesit, dhe tha se “asgjë nuk do të jetë siç ka qenë”. (Ndoshta donte të thoshte se as BE që ka nisur zotin Flenckenstein si misionar kundër protestës).  Është e njëjta vijë politike e Doktrinës Trump, për ta bërë “Amerikën Great Again”, duke ndryshuar tërësisht politikat që izoluan dhe dobësuan Amerikën vitet e fundit. Pak nga pak, në një muaj qeverisjeje nga Donald Trump, po plotësohen premtimet e dhëna në fushatën elektorale presidenciale dhe po ndodhin ndryshime të mëdha në superfuqinë botërore.

Asgjë nuk do të jetë si më parë! Europa dhe Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në “autostradën” pa kthim të ndryshimeve që nesër të mos jeta asgjë si dje. Dalja e Britanisë nga BE, lodhja ekstreme e kombeve ndaj qeverive dogmatike dhe demagogjike, humbja e identitetit kombëtar në shumë shtete të Perëndimit, shkëputja e elitave politike nga interesat kombëtare, rënia e aftësisë mbrojtëse të Europës dhe krizat për shkak të emigracionit të paligjshëm- të gjitha krijuan domosdoshmërinë e ndryshimit. Kandidati për kryeministër në Holandë, Mr. Wistler, tha se “në vitin 2017 mund të ndodhin shumë gjëra, por një gjë ka ndodhur:  xhindët populistë dolën nga shishja dhe nuk kthehen më kurrë”.

Bota po ndryshon. Institucionet globaliste 70 vjeçare, tashmë të plakura dhe shterpë, nuk i sjellin më gjë as kombit as individit. Kombet e Europës, një nga një, po kërkojnë sovranitet dhe kontroll të kufijve. Fermenti i shkëputjes nga BE, sipas modelit Brexit, po përhapet që nga Franca, Holanda, Polonia, Rumania e në gjithë vendet e Europës…

Politika në Shqipëri, e dominuar vitet e fundit nga “qeveri” botërore të pazgjedhura, por “klika” dhe “sekte” si George Soros, e kishin fjetur mendjen se mund të ketë më ndryshim. Miliarderi Soros, tashmë i shpallur si “kërcënim për sigurinë” kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ka bërë zgjedhje, ka votuar, ka mbjellë drogë, ka përpiluar lista, ka hartuar buxhete…., në qeverinë shqiptare; si edhe në rajon.

Sloganet e lëshuara nga kryetari i PD, Lulzim Basha, sipas “Trump Style”, pikërisht në momente kyç siç është edhe protesta  popullore që kërkon ndryshimin e qeverisë dhe hapjen rrugë për zgjedhje të lira, na sjell sigurinë se lëvizja jonë është një paralele e lëvizjes së Trump për ta bërë “Amerikën të Parën”, dhe e kombeve të Europës për të qenë “të parët!”. “Shqipëria First!” është një model i shekullit që e vë shtetin tonë në linjën e shteteve dhe kombeve më të përparuar.

/Veritas.com.al/