Në mitingun përmbyllës në Dibër kreu i demokrateve Lulzim Basha tha se Rama nuk ka asnjë plan ekonomik për vendin. Basha i tha dibranëve se Rama e ka premtuar disa herë rrugën e Arbrit dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje për të nisur punimet. Ai i premtoi atyre se nëse bëhet kryeministër brenda dy viteve do të hapë tunelin e Arbrit, ose nëse nuk e realizon do të japë dorëheqjen.
“Kam ardhur në Dibër kur pushtetin e kishim ne dhe u kryen shumë punë por mbetën edhe shumë të tjera, por pengu im është Rruga e Arbrit. Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim të vetëm në Dibër ashtu si në gjithë Shqipërinë, por përkundrazi e zhyti Dibrën në varfëri të thellë. Iu hoqi mijëra vende pune, e ndali në vend që ta mbaronte rrugën e Arbrit. E mbani mend kur e premtoi përpara se të zgjidhej Shukriu, edhe para se të zgjidhej Muharremi, e premtoi edhe tani.
Asnjë lopatë të vetme dhe nuk hodhi. Ky është Rama njeriu që premtoi por nuk mbajti premtimet. Rama nuk ka program, por bën premtime të pambajtura E ka kuptuar se ndëshkimi popullor me votë do të jetë referendar, nga ju matianët dhe bulqizakët. Edhe nga qindra mijëra të tjerë të cilët kanë heshtur sa nga frika, pamundësia por që në 25 qershor do bashkohen dhe do votojnë numrin 6 republikën e re, republikën e shqiptarëve. Si sot dy vjet do të ndodhin dy gjëra, ose do të hapim tunelin e Arbërit, ose unë jap dorëheqjen si kryeministër. Ka vetëm një të tretë, i pari Kalimashi, i dyti Krraba, i treti rruga e Arbërit dhe unë do ta përfundojë këtë”, tha Basha.