Partia Socialiste nuk ka kërkuar që ish kryeministri Sali Berisha, të jetë një prej dëshmitarëve në komisionin për TIMS-in.

Gazetarja e ABC News, Esiona Konomi raporton se deputetja socialiste, Blerina Gjylameti e ka propozuar emrin e Berishës, por deklarata e saj ka qenë ironike.

Konomi shtoi se Berisha është në arrest shtëpie dhe kjo masë prevalon ndaj çdo lloj iniciative tjetër politike.

“Ajo çfarë ka qarkulluar në media është një dokument i hartuar nga Ervin Salianji dhe që pretendon se Blerina Gjylameti ka thënë emrin e Berishës. E vërtetë së Gjylameti e ka propozuar emrin e Berishës në komision, por Partia Socialiste nuk ka kërkuar që Berisha të jetë një prej dëshmitarëve të këtij komisioni. Madje ende komisioni nuk ka caktuar ekspertët. Ajo çfarë është shpërndarë në media, janë të fabrikuara me dashje ose pa dashje. Nuk ka kërkesë zyrtare nga Partia Socialiste për ta sjellë Berishën si dëshmitar. Berisha është në arrest shtëpie dhe kjo masë prevalon ndaj çdo lloj iniciative tjetër politike.

Berisha nuk mundet dhe nuk do të jetë dëshmitar për komisionin. Partia Socialiste thotë se deklarata politike e Gjylametit, ka qenë e retorikës politike. Ka qenë deklaratë ironike, por nuk ka propozuar që Berisha të jetë një prej dëshmitarëve”, raportoi gazetarja e ABC News, Esiona Konomi.