Me duartrokitje dhe duke i hedhur sheqer në rrugë, u prit kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në qytetin e Lezhës këtë të shtunë.

I shoqëruar nga dy kandidatët për deputetë, Mark Marku, kryesuesi i listës dhe pasuesi i tij në renditje, Agron Gjekmarkaj, kreu i PD takoi qytetarët, ndërsa dëgjoi edhe shqetësimet e sipërmarrësve. Të parët që do ta ndjejnë ndryshimin pas 25 prillit, tha Basha do të jenë bizneset.

“25 prilli është dita e ndryshimit. Një ndryshim krejtësisht ekonomik që ta ndjeni edhe ju si sipërmarrje, por në radhë të parë ta ndiejnë familjet shqiptare. Le të bëhemi të gjithë bashkë më 25 prill për ndryshimin që të fitojë Shqipëria, të fitojnë familjet shqiptare, të fitojë Lezha, të fitojë edhe sipërmarrja. Është dita kur të gjithë lezhjanët me votë do ta largojnë Edi Ramën dhe do të hapin një kapitull të ri ndryshe për Lezhën ku shqiptarët do të bashkohen dhe do të bëjnë të mundur. Asgjë nuk do të ndryshojë pa larguar Edi Ramën dhe këtë e di i madh dhe i vogël. Ndaj gjithë këtë entuziazëm dhe shpresë që e prek kudo, le ta kthejmë në votë më 25 prill. Mos harroni, edhe në dyert e socialistëve të zhgënjyer, vëllezërit edhe motrave tona që të bëjmë të mundur votën më të madhe, referendumin më të madh popullor për ndryshim kundër së keqes me 25 prill. Lezha fiton! Shqipëria fiton! Ju falënderoj nga zemra për këtë mikpritje të jashtëzakonshme deri në fitoren e Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë me 25 prill. Fitore!’- tha Basha.

Edhe pse një ditë më parë, kreu  i PD u gjobit me 5 milionë lekë për grumbullime në kohë pandemie, Basha u shfaq sërish mes turmës së njerëzve, një pjesë e të cilëve ndërsa mbanin në duar flamuj të PD, u shfaqën edhe pa maska.