Sot është mbledhur Komisioni Hetimor për Presidentin e Republikës, ku pas diskutimeve të deputetëve pritet miratimi i raportit përfundimtar që do t’i kalojë parlamentit.
Deputeti i PS-së, Bashkim Fino e ka kundërshtuar raportin.
“Më shumë i vini vërdallë çështjes sikur po japim një opinion për një projektligj të zakonshëm. Përfytyroni si do të ishte Shqipëria nëse vendi nuk do të kishte zhvilluar zgjedhje lokale, shikoni Shkodrën, një kryetar bashkie votohet për 4 vite dhe sot ne kemi kryetarë bashkie që vijojnë mandatin për shkak të mosdekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti. Nuk e di sa do të vazhdojë, këtë e dini ju, që thoni se shkelja nuk është aq e rëndë për ta shkarkuar. Ju më thoni se duhet bërë një ligj organik për Presidentin. Jo për presidentin emër mbiemër, por institucionin. Presidenti na tha grup kriminal. Sot nuk mund të përgjigjemi si grup kriminal i marrë peng nga presidenti. Prandaj ju ftoj që të reflektojmë përpara se çështja të votohet në seancë. Ne kemi dy opsione ose pro ose kundër, por jo rezoluta. Me gjithë këto që janë bërë këtu besoj që njollosim veten tonë.”
Fino i ka ftuar kolegët të bëhen seriozë.
“Unë ju ftoj të bëhemi serioz, të votoni ose pro, ose kundër asaj që kemi vënë si objekt, kaq janë opsionet tona, nuk ka të tjera, dy vendime të qartë e të prera, pro, ose kundër, e nisëm më shqyrtimin e çështjes me objekt shkarkimin e Ilir Metës, nuk mund ta mbyllim duke e modifikuar me vërejtje për zotin Meta si President”
Në fund Fino tha:
“Ne sot duhet t’i paraqesim Kuvendit opsionin e shkarkimit apo jo, por jo me rezoluta me detyra për ne, nëse jemi kundër madje t’i kërkojmë edhe falje se mbase e kemi stresuar, dhe nga stresi që i kemi bërë dhe shumë vendime të tij nuk kanë qenë të qarta dhe është kthyer në opozitë presidenciale. Ju kujtoj se çfarë ka thënë Presidenti, foli për grup kriminal që zhvilloi zgjedhjet, pra ne ishim grupi kriminal që bëmë zgjedhje, ndaj ne nuk mund te përgjigjemi si grup kriminal i marrë peng nga presidenti, ju ftoj sinqerisht të reflektojmë para se çështje të votohet.”
VERITAS.COM.AL/