Të “pashmangshëm” e quante dikur miku im Lela, duke iu referuar peshës dhe forcës politike që Berisha kishte akumuluar në vite. Rritja e peshës dhe forcës së tij ka shkuar në drejtim të kundërt me peshën dhe forcën e anëtarit të thjeshtë të PD, dhe të çdo figure të spikatur në PD. Këto, pesha dhe forca, ia jepnin luksin të sillej si institucion i pakohë, por ai gjithnjë zgjodhi t’i përdorë ato në çdo kohë dhe për çdo gjë.
Berisha ka qenë forca dhe dobësia e PD. Strukturoi partinë sipas profilit të tij dhe e dominoi me fanatikët e tij sipas kalkulimeve të veta politike. E çoi majtas dhe djathtas. E hapi dhe e mbylli sipas interesit të tij politik. Krijoi mitin e tij. Dishepujt e afërt ishin ata që përfitonin, në mos shumë të paktën shikimin e tij. Dishepujt e largët, janë ata që kërkojnë një idhull, që besojnë se fitojnë kur e gjejnë.
Por, edhe pas gjithë këtyre, Berisha është plotësisht i shmangshëm. Ashtu si çdo kush tjetër në këtë jetë. Shmanget kur ai vetë nuk e kupton që duhet të hiqet mënjanë. Shmanget, kur ai vetë nuk e kupton se nga i dëshiruar është bërë i padëshirueshëm. Shmanget, kur është bërë problemi, nga zgjidhësi i problemeve që ka qënë dikur. Shmanget, kur nga frymëzim është bërë pezmatim. Kur nga përparim është bërë prapësim. Kur nga e reja është bërë e vjetra. Shmanget, kur nga dhënës është bërë marrës. Shmanget, kur ngulmon të ruaj monopolin e tij dhe të zgjatimit të tij, kryetarit aktual mbi PD. Shmanget kur nuk lejon PD të ringrihet.
Shmangia nuk vjen nga mungesa e respektit. Nuk vjen nga mosmirënjohja. Shmangia nuk vjen nga mungesa e ndjeshmërisë. Shmangia nuk vjen nga mungesa e parimeve. Perkundrazi. Shmangia nuk vjen se e kërkojnë amerikanët, por se ishte prej kohësh e nevojshme dhe sot është jetike për PD.
Po kush ta shmangë?
Shmangia vjen nga besimi se PD është më e madhe se ai, shumë më e madhe se ai. Shmangia vjen nga bindja se ai i ka dhënë PD, por PD i ka dhënë atij shumë më shumë se ai e përmend ndonjëherë. Shumë më shumë se ai të ketë qenë mirënjohës.
Shmangia vjen nga bindja se PD duhet të rinovohet dhe të shkëputet nga çdo gjë që e mban peng. Shmangia vjen që ne si parti të plotësojmë misionin tonë. Që ne si parti të ngremë lart dinjitetin e demokratëve, dinjitetin e votuesve të djathtë, dinjitetin e njerëzve të papërfaqësuar që kërkojnë një propozim alternativ ndryshe nga ky pushtet që na sundon. Që duan të shpëtojnë nga Rama por nuk duan të kthehen pas. Pa kuptuar këtë detyrim ndaj dinjitetit të gjithë shoqërisë, kjo parti nuk ekziston. Ky është misioni i PD.
Duhet të shmanget që PD të krijojë një projekt të ri. Larg monopolit të atij që e përdor të mbetet i pashmangshëm. Shmanget që PD së pari të çlirohet nga paradigma e personalizimit të arritjeve politike. Që të çlirohet PD nga mentaliteti i rremë i liderit çudibërës dhe të gjithëditur. Që PD të shkëputet nga praktika e partisë shpk. Shmanget që PD të rigjallërohet si një forcë që ushqen me shpresë shqiptarët. Që PD të çlirohet nga klanizmi dhe të zgjerojë mbështetjen atje ku është ekonomia, ku është tregu më i madh, punësimi më i madh. Që PD të jetë konkuruese, së pari brenda vetes. Pastaj ta zgjerojë konkurencën tek gjithë shoqëria. Konkurenca është magjia e lirisë. Rotacioni nëpërmjet kufizimit të mandateve dhe qarkullimi i elitave është magjia e demokracisë. Për këto, për lirinë dhe demokracinë që aq fort i brohoriti, por që aq shumë i ngurtësoi, Berisha duhet shmangur.
Këtë duhet ta bëjë PD. Këtë duhet ta bëjmë ne që duam të kemi PD dhe jo kryetar dhe ish kryetar. Ne që duam më shumë lirinë se sa liderin. Ne që duam demokraci jo autoritet. Ne që duam partinë e anëtarit dhe jo të kryetarit.
Në PD sot ka një shumicë dërmuese që e di dhe e kupton kështu si unë këtë peshë që na qëndron e lidhur në këmbë. Që e ka të qartë që zgjatimi pertac i Berishës, kryetari aktual, është një shëmbull i përfitimit nga oportunizmi që po e asfikson PD. Vetëm kjo pjesë e PD mund dhe duhet ta shmangë Berishën. Kjo pjesë e PD duhet të rimarrë peshën e vet në PD, duke e çliruar veten nga dorëzimi përballë autoritetit të Berishës. Duke u shkëputur nga oportunizmi që nxit oferta gënjeshtare e kryetarit aktual. Duke u çliruar pa drojë nga emocioni që e mban peng të historisë. Kjo pjesë e PD duhet të reagojë si shumicë që është.
Unë e shmang lehtësisht. Kurrë nuk kam pasur adhurim për askënd. Kurrë nuk e kam falur lirinë time. Kurrë nuk kam njohur idhuj dhe autoritet. Këtë ofroj unë. Këtë nxis unë. Këtë reagim nxis tek çdo demokrat, tek çdo koleg. Si unë mendon shumica dërmuese e PD, mendon e djathta parakomuniste. Mendon shoqëria që kërkon një alternativë. Kam shërbyer dhe vazhdoj të shërbej që këtë rrugë ta përqafojmë të gjithë. Këtë kam shprehur në Manifestin Politik për Ringritjen e PD. Çdo demokrat që e do PD më të madhe se kryetari, ka një mundësi të bëj ndarjen e madhe. Çdo demokrat që e do PD me të madhe se vet PD, ka një mundësi ta shkëpusë veten nga e djeshmja për të ndërtuar një të ardhme. Kur shmanget Berisha si model, fiton demokrati.
VERITAS.COM.AL