Kur na ndajnë vetëm pak javë nga mbajtja e konferencës së katërt ndërqeveritare me Bashkimin Europian, Sali Berisha përdor si platformë mediat greke për të kundërshtuar anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane.

“Në mënyrë absolute Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter, përveç pozicionit gjeostrategjik, për të cilin unë e mbështes procesin. Por kriteret…”, tha Berisha.

Edhe pse Berisha thotë se nuk është plotësuar asnjë kriter në procesin e integrimit, vetëm vitin e kaluar, Shqipëria hapi negociatat për grupkapitujt e Themeloreve dhe Marrëdhëniet me Jashtë.  Ndërsa në fund të muajit mars do të celen grupkapitujt e Tregut të Brendshëm dhe Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse.

Nga ana tjetër, Berisha nuk heq dorë as nga çështja e detit. Edhe pse ishte Gjykata Kushtetuese ajo e cila me një votim 9-0 e shpalli nul marrëveshjen e firmosur nga Basha dhe Bakojani, kryedemokrati ben përgjegjes Edi Ramen, për të cilin tha se ka mbajtur pezull kufinjte detare.

“Kishim rënë dakord me qeverinë e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë të Greqisë, që të shkonim në Hagë. Edi Rama hoqi dorë nga kjo dakordësi dhe deklaroi se do bëjë një marrëveshje më të mirë. Negocioi 2-3 vjet, dhe kur erdhi problemi për të firmosur marrëveshjen, Edi Rama tha se nuk e firmos dot për arsye se ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Ndryshe nga sa deklaron Berisha, qeveritë e Tiranës dhe Athinës kanë zhvilluar një sërë negociatash për çështjen e detit ku ka edhe një pak mes Ramës dhe Mitsotakis për ta cuar në Gjykatën Ndërkombëtare.