Ambasada amerikane në Tiranë e ka bërë edhe një herë të qartë se nuk ka asnjë kontakt me Sali Berishën.  Ky i fundit një ditë më parë sulmoi ambasadoren amerikane, madje edhe deklaroi se i kishte futur njerëz që ta bindin që të mos garonte për kryetar të PD, por duket se amerikanët janë të palëkundur në qëndrimet e tyre.

Ambasada ka reaguar në një prononcim për “News 24” duke rrëzuar pretendimet e Berishës. Ambasada shprehet se nuk negocion kurrë me me emrat “non grata”. “Pozicioni i SHBA në lidhjet me shpalljet “non grata” për korrupsion madhor mbetet i qartë dhe nuk mund të negociohet”, sqaron ambasada.

Një ditë më parë Berisha tha se një person i ardhur nga Ambasada i kërkoi që të hiqte dorë provizorisht nga gara për kryetarin e PD-së, ndërsa i kishte garantuar edhe largimin e Bashës.

“Unë dua t’i njoh qytetarët shqiptarë dhe demokratët në veçanti se pas zgjedhjeve të 6 marsit guvernatorja Kim dërgoi në zyrën time një person me propozimet e saj. Propozime që konsistonin që unë të hiqja dorë provizorisht nga gara për kryetar të PD-së, të caktoja cilindo njeri që doja unë dhe atë provizorisht dhe më pas mund të kandidoja vetë për kryetar, duke paraqitur garanci të plotë se Basha do të largohej dhe do të pranonte vendimet. Përgjigjja ime ishte një refuzoj në mënyrë kategorike çdo ndërhyrje tuaj zonjë në problemet e brendshme të PD, refuzoj dhe kërkoj në mënyrë të prerë që të mos ndërhyni në zgjedhjen e forumeve dhe kryetarit të PD-së sikundër jashtë çdo dyshimi që unë mund të pranoj ndërhyrje të tilla”, tha Berisha.