Sot ish kryeministri, Sali Berisha pritet të paraqitet në drejtorinë e Policisë së Tiranës për të dëshmuar mbi sulmin e djeshëm ndaj tij. Mbrëmjen e djeshme janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tyre, dy prej truprojave të Berishës. Në pamjet ku dhunohet ish kryeministri, truprojat e tij kanë ndërhyrë menjëherë ndaj agresorit 31 vjeçar, Gert Shehu, të cilin e kanë dhunuar ashpër së bashku me disa prej protestuesve të tjerë.

31 vjeçari, pësoi dëmtime të shumta në fytyrë dhe në trup dhe për rrjedhojë u transportua në spitalin e Traumës ku ende po merr mjekimin e nevojshëm.

Ndryshe nga dokumenti shëndetësor i publikuar ku tregohej se 31 vjeçari, Gert Shehu prej vitit 2018 kurohej për probleme të shëndetit mendor, Berisha tha se sulmi ndaj tij kishte qenë i organizuar, ndërsa shtoi se agresori i tij kishte qenë agjent i policisë kriminale.

Për sulmin e bërë ndaj Berishës pati reagime të shumta nga ana e opozitës dhe ambasadave të huaja në vend, të cilat e dënuan rastin duke e cilësuar si të papranueshëm në një vend demorkatik. Gjithashtu, kryeministri, Edi Rama kërkoi që përgjegjësi të dilte para ligjit dhe të merrte dënimin e merituar për sulmin që kreu i ekzekutivit e konsideroi si akt të patolerueshëm.