Pas përjashtimit nga partia që vetë themeloi dhe futjes në listën e zezë nga SHBA, Sali Berishës i është larguar edhe e vetmja ‘amerikane’ që e mbështeste deri tani. Evi Kokalari, e cila ka shoqëruar thuajse në çdo ‘Foltore’ Sali Berishën, vendos të tërhiqet nga politika dhe nga Komisioni i Rithemelimit të PD. Ky vendim ka ardhur menjëherë pas protestës së dhunshme të 8 janarit thirrur nga Berisha.
Kokalari shprehet se marrja me “Foltoret” nga shtatori i ka lënë pas dore jetën personale. Megjithatë ajo thotë se komunikimin me demokratë do e vijojë përmes rrjeteve sociale.
“Kam vendosur të distancohem pak nga politika në Shqipëri. Megjithëse me mëndje dhe zemër jam aty ku vazhdon lufta për një opozitë të fortë, dua ti kthehem jetës time në Amerikë që kam që në Shtator që e kam lënë komplet mbas dore. Do vazhdoj të jem në komunikim të vazhdueshëm me anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, gjithsesi jo më aq aktive sa më parë. Me gjithë sulmet e katër muajve të fundit, një gjë është e padiskutueshme – miqësitë që kam krijuar në Tiranë vërtet më kanë ngrohur zemrën, dhe jo vetëm, mbështetjen që kam marrë nga njerëzit që kam takuar çdo ditë në rrugët e Tiranës dhe gjatë foltoreve, vërtet i kanë dhënë kuptim sakrificës së muajve të fundit. Bashkatdhetarëve të mi në Diasporë; dua t’ju them që populli ynë është i varfër, kështu që angazhohuni seriozisht se kanë vërtet nevojë për ndihmë. Lërini mërite dhe urrejtjen e së kaluarës dhe mbështesni ata që po luftojnë për ditë për të shpëtuar pluralizmin. Ndërkohë do vazhdoj të komunikoj opinionet e mia nëpërmjet medias sociale. Duke ju falenderuar të gjithëve për mbështetjen tuaj, Përzemërsisht, Evi”, shkruan ajo.
Evi Kokalari ka qenë krahu i djathtë i Sali Berishës që nga shtatori kur nisi dhe luftën e tij ndaj kryedemokratit Lulzim Basha.