Para katër muajsh, ministri i brendshëm as që e përfytyronte se një ditë mund të bëhej kryeministër. Portreti i një njeriu rigoroz që ngjall ngajëherë polemika.

Do të inauguronte sot, të marten 6 dhjetor, në mesditë shërbimin qendror të ushtrisë në Nanterre. Por Bernard Cazeneuve thirret nga François Hollande në krye të qeverisë. Ish kryebashkiaku i Cherbourg merr frenat e kryeministrisë për pesë muaj pasi ka drejtuar tre ministri, atë të  Çeshtjeve evropiane, Ministrinë e Financave dhe atë të Brendshme. Ai ka lënë kudo vulën e një njeriu reaktiv, njëherësh të rreptë, rigoroz dhe profesionist i mirë që e njeh në mënyrë perfekte punën e tij.

Ai nuk do ta ketë fort të vështirë të drejtojë qeverinë deri në fund të pesëvjeçarit për dy arsye: së pari, nuk ka asnjë reformë në rend të ditës në Asamblene kombëtare, për ta ndërmarrë apo për ta përmbushur qeveria; së dyti, Bernard Cazeneuve, ka qenë gjithmonë në qendër të polemikave, edhe dje e djathta nuk e ka kursyer, dhe ai u ka mbijetuar të gjithave.

I kritikuar nga mbrojtësit e lirive të njeriut

Përplasja e Germanwings, prishja e kampit të refugjatëve në Calais, seria e atentateve dhe atentatet e dështuara… Bernard Cazeneuve u imponua për muaj të tërë në ministrinë e brendëshme falë, nganjëherë, edhe një komunikimi agresiv dhe therës. Ai nuk ka toleruar asnjëherë të preket xhandarmëria dhe e ka kundërshtuar ashpër të djathtën e cila dyshonte në efikasitetin e shërbimeve të policisë gjatë atentatit të Nice-ës.

Bindjet e tij, të mbështetura edhe nga Manuel Valls dhe Jean-Jacques Urvoas, për nevojën e zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe për shumëfishimin e ligjeve antiterroriste i kanë kushtuar: është kritikuar pa fund nga mbrojtësit e lirive të njeriut. E megjithatë asgjë nga këto nuk e pengon të mbledhë reth vetes në qeveri, çka ka mbetur nga e majta e përçarë.

Policia administrative, përzënie dhe çradikalizim

Në thelb, Bernard Cazeneuve është artizan i forcimit të pushtetit administrativ dhe policor përballë atij gjyqësor. Ai ka ndërmarrë pa iu dridhur qerpiku masa të policisë administrative të kritikuara jashtë mase deri edhe brenda kampit të tij: përzënie nga territori francez, perkuizicione, arrest shtëpiak, kufizim lirie katër orësh, kontroll identiteti, kontroll automjetesh, etj. Ish ministri i brendshëm ka menxhuar mjeshtërisht prishjen e kampit të refugjatëve në Calais dhe i ka zhvendosur emigrantët drejt dhjetëra qendrave pritëse dhe orientimi (CAO) të shpërndara në mbarë Francën, në pritje të merrjes në shqyrtim të kërkesave të tyre për azil.

Bernard Cazeneuve njihet për njeri që s’pyet kur i hipin nervat, sigurisht kur shkelen rregullat e ligjet si p.sh. kur nuk funksionojnë siç duhet hallkat që merren me përzënien e njerëzve ‘non grata’ në Francë, apo kur ka raste të bashkëpunimit jo të mirë midis shërbimeve të policisë dhe xhandarmërisë. Ai është nxitës i shumë ndryshimeve ligjore që lidhen me kontrollin dhe qarkullimin e armëve, me larjen e parave dhe kapitaleve, me kontrollin kufitar, dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në lobimin në skenën evropiane për krijimin e PNR-së, skedarit që regjistron të dhënat e pasagjerëve të transportit ajror.

Eshtë ende shumë shpejt për të folur nëse e ka bërë mirë punën për çradikalizimin. Për momentin, mund të thuhet se bilanci i tij është i përzjerë. Nëse është hapur dialogu me instancat përfaqësuese të islamit në Francë, rezultatet e strukturave parandaluese të çradikalizimit të subvencionuara nga shteti janë shumë të kontestuara. Në të njëjtën mënyrë, nuk është bërë asgjë për xhihadistët e burgosur sot që duhet të dalin nga burgjet në muajt apo vitet në vazhdim.

/Veritas.com.al/