Departamenti i Shtetit ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe anëtarëve të familjes së tij.
Vendimi, i marrë nga Sekretari i Shtetit, thekson se kryetari i bashkisë Dako është përfshirë në raste madhore korrupsioni.
Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë.
Ligji po ashtu i jep të drejtë Sekretarit të Shtetit që vendimin ta bëjë publik, ose t’ia bëjë atë privatisht zyrtarit në fjalë. Në bazë të njoftimit të sotëm, Vangjush Dako, bashkëshortja e tij Alba Dako, djali Xhulio Dako dhe vajza e tij Kejsi Dako nuk lejohen të hyjnë në Amerikë. Vendimi i sotëm, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit, është një sinjal i fortë se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin në vende të tjera të botës.
Dako, bëhet kështu zyrtari i tretë nga Shqipëria së bashku me Adriatik Lllallën dhe Tom Doshin që ndalohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara./VOA