Ish- deputeti i PD-së Besnik Mustafaj, thotë grupi kritik kundër Bashës është faktor brenda Partisë Demokratike. Gjithashtu Mustafaj është shprehur se Basha po e pëdor gjithë strukturat e PD-së për të ndikuar mbi zgjedhjet e ardhshme, gjë e cila tregon se nuk ka ngrirë.

“Ajo që e quani grupi kundër Bashës është tashmë një faktor në PD. Janë figura me autoritet politik, të rinj dhe të vjetër si të thuash. Kështu që në këtë kuptim është absolutisht e domosdoshme të gjendet çelësi për uljen e këtij tensioni. Po përdor selinë e partisë, po përdor zyrën e tij, gjithë infrastrukturën, sekretariatin, makinën, telefonin e partisë, zyrën e shtypit, gazetën e partisë për të ushtruar ndikimin e vet mbi zgjedhjet e ardhshme.” – tha Mustafaj për TVKlan.

Mustafaj thotë se grupimi kundër Bashës duhet të dalë me një kandidat që të mishërojë edhe alternativën e tyre. Atëherë dhe kushtet që ka për të zbatuar në mënyrë të detyrueshme Basha, sipas tij, bëhen dhe më konkrete. Afati i dorëzimit të kandidaturave sipas vendimit të firmosur nga dy nënkryetarët Spaho dhe Paloka përfundon të dielën dhe një mbledhje kryesie pritet të caktojë komisionin që do të menaxhojë procesin zgjedhor, ku secili kandidat do të ketë përfaqësuesit e tij.