Gjykata e Apelit ka përcaktuar trupën gjykuese që do të vendosë për statutin e PD.

Në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha u miratuan disa ndryshime statutore dhe u krijua Komisioni i Rithemelimit. Këto ndryshime u dërguan në Gjykatën e Tiranës dhe më pas ishte gjyqtari Agron Zhukri që i pranoi.

Por kundër këtij vendimi pati një ankimim nga kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, i cili ka kërkuar që të rrëzohet vendimi i Zhukrit, pasi sipas tij, Kuvendi i 11 dhjetorit ka qenë i pa bazuar në Statut. Gjykata e pranoi ankimin.

Por pati një ankimim nga Ivi Kaso, i cili kërkon që të mos pranohet kërkesa e Alibeajt. Pak minuta më parë gjykata njoftoi se kërkesa e Kasos do të shqyrtohet nga trupa gjykuese me kryetare Elona Toro dhe anëtarë Edlira Petri dhe Genti Shala.

Njoftimi i gjykatës

Në vijim të informacioneve të dhëna më herët dhe në respekt të së drejtës së publikut për tu informuar mbi çështjet me interes publik dhe posaçërisht proceset mbi kërkesat për regjistrim në regjistrin e partive politike për subjektin Partia Demokratike e Shqipërisë, ju njoftojmë sa më poshtë:

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me trup gjykues të përbërë nga gjyqtar Agron Zhukri, me vendimin nr.3, të datës 25.03.2022, ka vendosur: “1. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të P.D.SH. 2.Depozitimin  e vendimit te Kuvendit Kombetar te PDSH duke rregjistruar ndryshimet përkatëse në regjistrin e partive politike:

Vendimin nr 1, dt.11.12.2021 me anekset bashkëlidhur Statutin e Partisë Demokratike, të Kuvendit Kombëtar të Partisë.

Vendimin nr 2, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 3, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 4, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 5, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 6, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 7, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

3.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim sipas ligjit.

Në datë 04.04.2022, kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, me të cilin është kërkuar : “Prishja e Vendimit Nr. 1346/222 Akti Nr. 3 Vendimi, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukri duke vendosur pushimin e gjykimit ose kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë por me tjetër trupë gjykuese.“

Ankimi i mësipërm u shqyrtua lidhur me pranueshmërinë e tij dhe me vendimin nr. 508 Regj. Them, datë 22.04.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me gjyqtare Blerina Muca vendosi : “Pranimin e ankimit të palës ankuese, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Nënkryetari i saj z. Enkelejd Alibeaj, ndaj Vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në datë 16.05.2022, u depozituan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë :

Kundërankimi në emër të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit dhe me autorizim nga Z. Ivi Kaso, me të cilin është kërkuar mospranimi i ankimit të bërë nga Z. Enkelejd Alibeaj datë 04.04.2022;

Ankimi në emër të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit dhe me autorizim nga Z. Ivi Kaso, kundër vendimit nr. 508 Regj. Them, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin kërkohet prishja e këtij vendimi, duke vendosur mospranimin e ankimit të palës ankuese Partia Demokratike e Shqipërisë, të përfaqësuar nga nënkryetari Z. Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Sot në datë 17.05.2022 u depozitua pranë Gjykatës së Apelit Tiranë çështja e mësipërme dhe aktet e sipërcituara. Shorti për caktimin e gjyqtarit relator do të hidhet po sot në orën 15:30, në një proces të hapur në sallën nr. 2 të gjykimeve.