Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ishte i pranishëm gjatë seancës plenare të 2 shkurtit lidhur me interpelancën e thirrur nga “grupi Alibeaj” për përfshirjen e kreut të qeverisë në çështjen McGonigal.

Pikërisht për këtë fakt numri një i qeverisë e delegoi kompetencën ministres së shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Republikën e Shqipërisë, Elisa Spiropali.

Deputeti demokrat Gazment Bardhi reagoi ashpër duke deklaruar se kryeministri nuk mund “të fshihet pas Elisa Spiropalit, Agron Nezës apo McGonigal”.

Gjithashtu përfaqësuesi demokrat shtoi se nuk pranon të vazhdojë interpelancën në Kuvend, nëse nuk do të jetë i pranishëm vetë kryeministri Rama.

Në përmbyllje, edhe Bardhi u përjashtua nga ana e krye kuvendares Lindita Nikolla “për pengimin e punimeve në parlament”.

Në fjalën e mbajtur gjatë seancës, kreu i Grupit Parlamentar të Socialistëve, Taulant Balla sqaroi gjithashtu se kërkesa e deputetëve demokratë, për ndryshimin e rendit të ditës dhe mbajtjen e mocionit me debat me kryeministrin, është në kundërshtim me rregulloren pasi duhet të shqyrtohet në Konferencën e Kryetarëve.

Foltorja e Kuvendit të Shqipërisë u bllokua që në premisat e seancës nga deputetët opozitarë të cilët kanë kërkuar mocion me debat me kryeministrin lidhur me çështjen “McGonigal”.

Deputetët e mazhorancës pas anulimit të interpelancës mes opozitës dhe kryeministrit vijuan normalisht me votimin e projektligjeve të cilat ishin në rendin e ditës.

Kjo seancë u shoqërua gjatë gjithë kohës nga tensioni dhe përplasjet në distancë mes palëve.

Çfarë ndodhi

Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, akuzohet në SHBA për lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska, si edhe për falsifikim dokumentesh dhe deklarime të rreme.

Po ashtu, McGonigal rezulton të jetë takuar më parë edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kjo gjë sipas demokratëve, duhet hetuar.

Kërkesa ka ardhur nga 12 deputetë të PD-së dhe ajo përmbante tre pika.

E para, lidhej me ndryshimin e rendit të ditës, sa i përket seancës të së enjtes.

E dyta, me përfshirjen e debatit për McGonigal dhe e treta, që minutazhi në këtë diskutim të jetë pa limit kohor.

“Në padinë e ngritur ndaj McGonigal pranë Gjykatës së Distriktit të Columbias (Washington), renditen një sërë faktesh, që lidhen me të paktën pesë takime të fshehta të zhvilluara mes Kryeministrit Rama dhe ish-zyrtarit amerikan”.

Kështu shkruhet në shqetësimin e ngritur nga deputetët demokratë dhe për shkak të vëmendjes së madhe mediatike dhe politike që çështja ka marrë, është kërkuar kësisoj edhe mocioni me debat.

Një ditë më parë, ishte numri një i selisë blu, Sali Berisha, ai i cili mbajti një qëndrim të radhës mbi çështjen e Charles McGonigal, duke thënë se si ish-zyrtari i lartë i FBI-së, ka edhe të tjerë në SHBA dhe Evropë.

Ky i fundit, akuzohet në SHBA për lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska, si edhe për deklarimeve të rreme dhe falsifikime dokumentacioni.

Po ashtu, ai rezulton se ka pasur edhe takime të mëparshme me kryeministrin Edi Rama, por ky i fundit nuk është i implikuar në veprimtarinë që McGonigal ka ushtruar më parë në Shqipëri dhe vende të tjera.

Berisha gjithsesi, e ka akuzuar kreun e Qeverisë shqiptare, se me McGonigal, Rama ka pasur si qëllim asgjësimin e opozitës shqiptare.

“McGonigal u përdor gjithashtu dhe për afera korruptive të tjera, për licenca. Ai u shpërblye me 225 mijë dollarë thuhet në dokument, me 500 mijë dollarë nga një bakë e Qipros dhe me miliona thuhet gjerësisht”, shtoi më tej numri një i bluve.

McGonigal, u hetua fillimisht, më pas arrestua e më tej ende u lirua dhe po gjykohet në liri me kusht, lidhur me deklarime të rreme, falsifikim dokumentesh dhe lidhjet me oligarkun Oleg Deripaska.

Në Shqipëri gjithsesi, edhe pse akuzohet për lidhje me kryeministrin Rama, McGonigal e daton aktivitetin prej vitit 2007, kur në pushtet ishte asokohe Partia Demokratike dhe në krye të Qeverisë, Sali Berisha.

Ai figuron si administrator i një kompanie (LAWOFFICE & INVESTIGATION), e cila është themeluar në vitin 2007, kohë kjo kur si kryeministër i vendit, shërbente kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Kjo kompani, me status momental rezulton si e pezulluar në vitin 2019.

Ajo ka si aksionerë shtetasin Shefqet Dizdari, me 25% të aksioneve, vetë McGonigal-in, shtetasin amerikan Mark Thomas Rossini, i cili po ashtu ka qenë një ish-agjent i FBI-së dhe Agron Nezajn.

Ky i fundit është akuzuar ndërkohë si ndërmjet i Ramës me ish-zyrtarin e lartë amerikan.

Mirëpo, një akuzë të tillë, është mohuar nga vetë Rama, i cili reagoi mbi çështjen dhe tha se përveçse me McGonigal-in kishte thjesht lidhje me miqësore, edhe me Nezajn, nuk ka folur asnjëherë për çështje biznesi, por ka pasur takime miqësore dhe krejtësisht pa interes.

Madje, ai e ka përforcuar këtë, duke thënë se Neza vjen nga Lëvizja Demokratike dhe ka qenë person shumë i afërt me Azem Hajdarin, duke lënë të kuptohet se nuk ka lidhje për çështje biznesi me të.

Vetë Neza, përmendet në dosjen e McGonigal si “Personi A” dhe përshkruhet si ish-funksionar i Shërbimeve Inteligjente shqiptare.

Thënë kjo, vetë Rama nuk e ka mohuar njohjen me amerikanin dhe takimet me të, të cilat kanë qenë krejtësisht miqësore dhe nuk ka pasur detyrim për t’i deklaruar.

Por, vetë McGonigal, i cili e ka pasur një detyrim për t’i deklaruar ato, nuk e ka bërë kurrë këtë gjë. Një skenar të tillë, e ka zbatuar edhe me politikanë të tjerë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, apo deri edhe në Austri.

Teksa, për hapjen e biznesit në kohën kur Berisha ka qenë kryeministër, nuk ka asnjë të dhënë paraprake se si ata të dy mundet apo jo të jenë të lidhur.