Kryeministri Edi Rama ka mbledhur qeverinë për fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë. Rama e ka nisur fjalën e tij duke thënë se është krenar pasi mbyllet me një notë pozitive puna e një mandati të vështirë me tërmetin dhe pandeminë.
Sa i përket shtimit të rasteve të reja dhe skeptikëve ndaj vaksinës kineze Sinovac, Rama thotë se në spital ka edhe të shtruar që janë vaksinuar me Pfizer, ndaj bën thirrje që kushdo të vaksinohet.
Rama: Sot zhvillojmë mbledhjen e parë në këtë që nga fillimi i pandemisë kur kjo qeveri është në finishin e 4 vjeçarit të saj. Duke ju falenderuar ju dhe të gjithë të tjerët që kontribuan në këtë tryezë që prej shtatorit, dua të them disa fjalë edhe në sytë e opinionit publik.
Mbyllet me një notë pozitive puna e një mandati të vështirë me tërmetin dhe pandeminë. Jam krenar. Kemi marrë një avantazh të konsiderueshëm dhe përtej çdo konsiderate, lëvdata apo kritike se si i kemi menaxhuar këto dy kriza, kjo do të jetë një nga gjurmët e pashlyeshme të kësaj qeverie.
Fushata e vaksinimit po modern valën e tretë. Fatkeqësisht kemi fatalitete dhe sot që flasim. Ato janë një mësim domethënës për rëndësinë jetike të vaksinimit. Askush prej atyre që sot marrin frymëmarrje të asistuar nga respiratorët nuk është i vaksinuar. Ndërkohë që disa të vaksinuar nuk shfaqën shenja rëndimi të gjendjes. Gjithashtu për skeptikët e vaksinës Sinovac që kërkojnë medoemos Pfizer, mbase vlen e dhëna se në spital ndodhen gjysmë për gjysmë të vaksinuarit me Pfizer dhe Sinovac.
I bëj thirrje të mos humbasin kohë me mendimin e gabuar që Pfizer bën, Sinovac s’bën!, por të përfitojnë një orë e më parë nga vaksina. Vaksinohuni! Teoritë e konspiracionit e lënë trupin e njeriut të paarmatosur. Nëse sot jemi më të mbrojtur, ka vetëm një arsye, numri i lartë i të vaksinuarve në Shqipëri. Të gjitha studimet thonë që nuk ka imunitet natyral afatgjatë ndaj këtij virusi afatgjatë.