Tirana ndodhet në përgatitjet e fundit për vizitën e ish presidentit të SHBA-së Bill Clinton. Edhe kryeministria ka nisur të zbukurohet me ngjyrat kuq e zi të flamurit shqiptar dhe të kuqe, bardhë e blu të flamurit amerikan.

Ish presidentit Clinton do i dedikohet një ceremoni e posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, ku do të pritet nga kryeministri Edi Rama si dhe do të jetë me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i 42-të i SHBA-ve Bill Klinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

Në orën 19.05 Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë zotin Bill Klinton të marrë çmimin e akorduar.

Në orën 19.25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBA-ve Bill Klinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i Presidentit.

Vizita e ish-presidentit amerikan Bill Klinton në Tiranë do të shoqërohet me masa sigurie nga policia përfshirë edhe kufizimin dhe devijimet e trafikut nga aeroporti i Rinasit deri në kryeqytet.