Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, ka zbuluar se CIA kishte hartuar një plan për të eliminuar Osama bin Laden para sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, por operacioni u anulua në momentet e fundit për shkak të frikës se mund të shkaktonte viktima mes civilëve.
Clinton foli për këtë çështje gjatë një interviste radiofonike në emisionin “Cats Roundtable”, të drejtuar nga John Catsimatidis në WABC. Sipas tij, ai kishte autorizuar CIA-n të ndërmerrte një operacion kundër liderit të al-Kaedës.
“Do të kishte qenë mirë ta kapnim Bin Ladenin të gjallë, por prioriteti kryesor ishte ta ndalonim”, tha Clinton, duke kujtuar vendimin e administratës së tij.
Ish-presidenti deklaroi se CIA e anuloi planin në momentin e fundit, pasi zyrtarët kishin frikë se një operacion i dështuar mund të shkaktonte vdekjen e shumë njerëzve të pafajshëm. Clinton tha se nuk e kishte vënë në dyshim vendimin e agjencisë në atë kohë, por shtoi se beson se operacioni mund të kishte pasur sukses. “U tremba dhe u zemërova, sepse ishim përpjekur ta kapnim më parë”, rrëfeu ai.Clinton tha gjithashtu se e kishte identifikuar menjëherë Bin Ladenin si autorin e sulmeve të 11 Shtatorit, teksa i ndiqte ngjarjet në televizion nga Australia. Ai kujtoi se vajza e tij ndodhej në Manhattan dhe familja ishte tepër e shqetësuar, pasi nuk arrinte të komunikonte me të.
Sipas Clinton, Bin Laden ishte prej kohësh duke planifikuar një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe kishte kapacitetin financiar dhe operacional për ta realizuar atë.
Osama bin Laden u vra më 2 maj 2011, gjatë një operacioni sekret të forcave speciale amerikane në kompleksin ku fshihej në Abbottabad të Pakistanit, gjatë presidencës së Barack Obamës.
Clinton paralajmëroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë në gatishmëri ndaj kërcënimeve terroriste. Ai tha se një sulm i ri në Nju Jork është i mundur, por theksoi se SHBA-ja është sot shumë më e përgatitur se në vitin 2001.
Komente