Nga Lindita Çela/ BIRN
Emisioni investigativ Publicus në “Vizion Plus” tërhoqi vëmendjen javën e kaluar me episodin e tij të dytë, ku ekspozoi gënjeshtrat e qeverisë mbi aftësitë e laboratorit doganor shqiptar për të kontrolluar importin e mbetjeve, por emisioni i tyre i tretë, një investigim mbi marrëveshjet e pista të Bashkisë së Tiranës për menaxhimin e Landfillit të Sharrës nuk u transmetua të dielën në darkë, në një ngjarje që shumë gazetarë po e shohin si një rast censure flagrante mbi lirinë e medias.
Stafi i emisionit Publicus publikoi të dielën në darkë në faqen e tyre në Facebook një shënim ku denoncuan mbylljen e emisionit investigativ dhe humbjen e mbështetjes financiare për këtë emision.
– Drejtuesit e televizionit “Vizion Plus”, njoftuan se e nuk lejojnë transmetimin e episodit të tretë të “Públicus”, të titullur “Kodrina e vdekjes”, sipas programimit (të dielën, dt., 10. 10. 2016, ora 20:10)! Njëkohësisht, kanë tërhequr mbështetjen financiare për programin, për stafin e përfshirë për realizimin e tij dhe se kanë larguar të gjitha njoftimet publicitare për këtë program nga faqja zyrtare online e televizionit!,- shkroi stafi i emisionit.
Producenti i emisionit, Artan Rama, i tha BIRN se pasi investigoi skandalin e landfillit për një javë, ai qe thirrur të premten nga administratori i Televizionit dhe i qe kërkuar që të tregonte përmbajtjen e emisionit. Të dielën, administratori e njoftoi se emisioni nuk do të transmetohej pa dhënë shpjegime të mëtejshme.
Për Partinë Demokratike, në opozitë, mbyllja e emisionit është pasojë e drejtpërdrejtë e censurës së ushtruar nga kryebashkiaku Erion Veliaj mbi lirinë e medias.
“Dje ishte një ditë e keqe për lirinë e medias, për lirinë e shprehjes për demokracinë në Shqipëri,” deklaroi Grida Duma, sekretare për marrëdhëniet me publikun në Partinë Demokratike
“Një emision që po hetonte krimin e tij në Sharrë, aty ku humbi jetën dy muaj më parë 17 vjeçari Ardit Gjoklaj. Teksa emisioni “Publicus”, ishte paralajmëruar dhe pritej të shfaqte dje në darkë investigimin në Sharrë, rolin dhe përgjegjësinë e Erjon Veliajt në atë sipërmarrje të paligjshme, korruptive e kriminale; papritur, televizioni “Vizion Plus” vendosi të mos e transmetojë dhe e mbyll programin,”- tha ajo.
Gjithsesi, Genc Dulaku, drejtor administrativ i Media Vizion, kompanisë që menaxhon televizionin Vizion Plus, mohoi të ketë bllokuar transmetimin e emisionit për ta censuruar atë.
“Ne patëm mosmarrëveshje mbi çështje administrative me drejtorin e emisionit pasi ai qe vonuar në montimin e tij,” tha Dulaku për BIRN. “I thashë se qe e pamundur që emisioni të transmetohej këtë javë dhe se ai mund të vijonte javën tjetër, por ai vendosi të largohet,” tha Dulaku duke iu referuar regjisorit të emisionit Artan Rama. “Unë nuk mund të censuroj një emision që nuk e kisha parë,” shtoi ai.
Zëdhënësi i Erion Veliajt nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për komente.
Reklama e emisionit, e publikuar në faqen facebook të emisionit, thotë se ata kanë investiguar vdekjen e Ardit Gjoklajt, një 17 vjeçar që punonte pa kontratë pune në landfillin e Sharrës për nëj kompani të quajtur 3R, e cila operonte një impjant riciklimi në landfillin pronë e bashkisë.
“Të Dielën në mbrëmje, “Públicus”, nuk u lejua të transmetojë një raport mbi vdekjen tragjike të një të riu që banonte në rrethinat e ish Kombinatit, e që punonte në kushte pasigurie në Landfillin e Sharrës, pronë e Bashkisë së Tiranës e që e bashkëadministronte me një kompani private riciklimi. Bëhet fjalë për Ardit Gjoklajn, 17 vjeçarin që u nda nga jeta në rrethana dramatike. Ne shkuam në Sharrë, takuam njerëz e folëm me familjarët e viktimës dhe regjistruam dëshmi. Zbuluam dokumenta të cilat nëpunësit kërkojnë t’i fshehin, pasi nuk duam të zbulohen përgjegjësitë. E të gjitha këto i përgatitëm për t’i publikuar. Por nuk na lanë!”, shkruan drejtuesit e emisionit në Facebook.
Një pjesë e profesionistëve të medias reaguan të zemëruar ndaj lajmit. “Kjo është një ditë e keqe, për lirinë e medias”- shkroi Andi Bushati në publikimin në internet Lapsi.al.
“Kjo është një goditje e përsëritur ndaj medias që investigon punën e Bashkisë së Tiranës,” deklaroi Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë në një njoftim për median.
“Ky është një nivel i ri censure,” tha për BIRN Ervin Goci, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. “Më herët ne jemi informuar për përpjekjet pas skene për të shtyrë gazetarët drejt heshtjes. Tashmë këto përpjekje kanë dalë në shesh,” shtoi ai.
Më 7 gusht, trupi i pajetë i 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj u gjet në landfillin e Tiranës. Policia arrestoi tre supervizorë impjantit të riciklimit të plehrave ku Gjoklaj punonte krahas dhjetëra punëtorëve të tjerë, për llogari të një kompanie të quajtur 3R, për të ndarë plastikën, letrën dhe metalet nga mbeturinat e pariciklueshme.
Policia e hetoi ngjarjen si një aksident në punë dhe arrestoi tre mbikëqyrës të punimeve për shkelje të kushteve të sigurisë në punë. Administratori i kompanisë 3R, Edurim Teqja, u shpall formalisht në kërkim nga policia. Teqja qe emëruar udhëheqës i Partisë Socialiste për qytetin e Peqinit pak muaj më parë.
Bashkia e Tiranës nuk ka dhënë përgjigje mbi pyetjet se mbi çfarë marrëveshjeje, nëse ka një të tillë, një kompani private riciklimi po punonte në landfillin nën pronësinë e bashkisë.
Më herët këtë muaj, gazetarja Alida Tota njoftoi se ajo qe pushuar nga puna nga televizioni ku punonte pasi kishte investiguar mbi të njëjtën çështje.
Investigime të mëparshme të BIRN kanë zbuluar se riciklimi i mbetjeve në landfillin e Sharrës nga kompania 3R kryhej nga punëtorë të keqpaguar dhe në shumicë pa kontrata pune.
Punësimi i paligjshëm i Ardit Gjoklajt për shkak të moshës ende të mitur nuk çuditi asnjërin prej punonjësve të landfillit të Sharrës që BIRN intervistoi. Ata treguan se praktika e punësimeve në kompaninë “3R” shpk udhëhiqej nga uria për sa më shumë krah të lirë pune, se sa nga respektimi i ligjeve në fuqi.
Më herët këtë vit anëtarët e Shoqatës së Riciluesve u ankuan për një tentativë të re për krijimin e një monopoli për riciklimin e mbetjeve të Tiranës, qyteti që prodhon shumicën dërrmuese të mbetjeve të riciklueshme në Shqipëri. Një investigim i BIRN i publikuar në gusht, zbuloi se lufta e Bashkisë së Tiranës për kontrollin e plehrave fshihte, në fakt, interesa private.