Në kuadër të hetimit për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetajt, GJKKO ka firmosur disa urdhër-kontrolle. Burimet bëjnë me dije se BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit) po ushtron kontrolle në banesën e Arben Ahmetajt si dhe partneres së tij Erjola Hoxha në Gjirin e Lalëzit si dhe në Tiranë.
Krahas 3 banesave të kontrolluara më herët, vila në Hamallaj, vila në Palasë dhe apartamentit që ndodhet tek zona e Shallvareve në Tiranë, sot oficerët e BKH-së por kryejnë kontrolle edhe në banesa të tjera të ish-ministrit, të cilat nuk janë kontrolluar gjatë vendimit të mëparshëm, pasi Arben Ahmetaj ishte me imunitet.
SPAK ka kryer kontroll megjesin e sotme për disa minuta te banesa e familjarëve të bashkëjetueses së Arben Ahmetajt, Erjola Hoxha, në Hamallaj, në një banesë me tre kate.
Prokuroria e Posaçme iu drejtua GJKKO-së pak ditë më parë me kërkesën për masën e sigurisë ‘arrest me burg’ ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj të premten e 14 korrikut, pas votimit të kërkesës për heqjen e imunitetit në Kuvend.
Gjyqtari i gatshëm Erion Bani, ka marrë në dorë kërkesën e SPAK për ish-zv.kryeministrin i cili është në hetim për korrupsion pasiv në 6 raste, fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale, zyrtari më i lartë i përballur ndonjëherë në Shqipëri me masën e arrestit. Burime jo zyrtare, thonë se në kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë, janë përfshirë edhe persona të tjerë përveç Ahmetajt.
Vëtë ish-ministri, sipas avokatit të tij Henrik Ligori, ndodhet pranë vajzës së tij në Angli dhe se do të vinte në Shqipëri kur sipas tij të mësohet e vërteta.