
Borxhi publik ka vijuar një trajektore të fortë rënëse gjatë 2024. Statistikat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë vitit 2024 borxhi është ulur me 2.7% duke prekur nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë.
Të dhënat zyrtare konfirmojnë se borxhi ka zbritur në 54.73% në fund të muajit dhjetor 2024 nga 57.50% që ishte në fund të vitit 2023.
Ministria e financave raporton se kjo është vlera më e ulët e regjistruar e borxhit publik në më shumë se 16 vite ndërsa në 2014 rezultonte mbi 70%.
Kjo situatë pozitive është ndikuar nga rritja e të ardhurave në buxhet gjatë muajve të fundit dhe po ashtu edhe rritja ekonomike e Shqipërisë që ka vijuar të jetë optimiste.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në vënien në kontroll të borxhit publik është edhe menaxhimi i duhur i shpenzimeve buxhetore dhe dobësimi i euros ndaj lekut që ka dhënë efekte te borxhi i jashtëm i qeverisë.
Ecuria e ekonomisë ,ulja e fortë e borxhit dhe e inflacionit, konfirmojnë se ekonomia shqiptare ka lënë pas përfundimisht pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare .
Në kuadrin makroekonomik qeveria parashikon që borxhi të vijoj uljen duke arritur rreth nivelit prej 52.1 për qind të PBB deri në vitin 2028.
Komente