Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat e dhunshme në Shqipëri, duke kritikuar ashpër pasqyrimin e tyre nga mediat dhe duke mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit.
Rama pretendon se një pjesë e mediave kanë paraqitur një realitet të shtrembëruar të ngjarjeve, ndërsa thekson se protestuesit e përfshirë në akte dhune nuk përfaqësojnë studentët dhe shqetësimet e tyre.
Në reagimin e tij, kryeministri bën thirrje për protesta paqësore, duke nënvizuar se problematikat duhet të adresohen përmes dialogut dhe angazhimit të përbashkët.
Regaimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Ja PASQYRA E TURPIT të ekraneve televizive, ku “studentët” u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte orë e minutë të reja e të rinj të pafajshëm.
Shikojeni raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në vendet e tjera demokratike, ku flama e terrorit të ANTIFA-s po djeg e shkatërron në qytetet e Europës:
Kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, siç është krejt normale të ketë.
Ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur.
Sepse në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik
Por realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj flame dhune e terrori psikologjik antishtet.
Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit.
Këta të ekraneve, ku pjesa më e madhe jeton me korrupsion, me paga marramendëse, renta javore, reklama instagrami e deri edhe podkaste të ushqyera me para nën dorë, një armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet duke përzier ditë e natë një çorbë të shpifur urrejtjeje, vulgariteti e banaliteti, ndërkohë që gazetarë e kameramanë terreni trajtohen si skllevër për bukën e gojës, janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, se sa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunës.
*** I vura studentët në thonjëza në krye të fjalëve, sepse shumë shpejt do t’i shikoni me fytyrë e me fakte, plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore
STUDENTËT E VËRTETË JANË ATA QË DUAN TA SFIDOJNË POLITIKËN DHE QEVERINË PA NGRITUR DORËN KUNDËR KUNDËR PRONËS PUBLIKE E PRIVATE, PO DUKE TREGUAR ME GISHT PLAGËT QË KËRKOJNË SHËRIM ME DIALOG DHE ANGAZHIM TË PËRBASHKËT
Komente