Pas disa ditësh protesta të dhunshme në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka sjellë në vëmendje rolin e mediave tek trazirat e fundit. Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka vënë fokusin te roli i medias dhe televizioneve në destabilizimin e situatës në vend, duke nxjerrë dhe një tabelë ku shihet qartë se në shifrat e dhunës në Evropë, Shqipëria zë vendin e parë në policë të plagosur dhe të fundit në protestues të lënduar.
“Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit”, tha Rama.
Kryeministri shigjeton televizionet, duke i akuzuar se i hodhën benzinë zjarrit. Ai akuzën e drejton tek pronarët e pasur dhe jo mbi gazetarët e terrenit, të cilët, sipas Ramës, trajtohen si skllevër, pa rroga dhe pa sigurime.
“Këta të ekraneve, ku pjesa më e madhe jeton me korrupsion, me paga marramendëse, renta javore, reklama Instagrami e deri edhe podkaste të ushqyera me para nën dorë, një armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet duke përzier ditë e natë një çorbë të shpifur urrejtjeje, vulgariteti e banaliteti, ndërkohë që gazetarë e kameramanë terreni trajtohen si skllevër për bukën e gojës, janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, sesa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunë”, shtoi ai.
Sipas kryeministrit, në këto ekrane “studentët” u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte të rinj të pafajshëm. Rama paralajmëron se së shpejti do t’i nxjerrë fytyrat e shumë prej personave që në protestë kanë qenë të maskuar.
Komente