Pronari i kompanisë ‘BanaKing’, Trifon Murataj është shpallur në kërkim, teksa janë vënë në pranga administratori Petrit Demishaj dhe 2 punonjësit e skanerit. Policia thotë se ka prova se këto persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar trafikimin e sasisë prej 33.5 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri.
Policia ka vënë në pranga, Petrit Demishaj, i cili kishte si detyrë që të priste ngarkesën me banane në Port, brenda së cilës ishte dhe sasia e kokainës. E ndërsa pjesë e këtij grupi ishin bërë edhe 2 punonjës të skanerit në Port, Alban Naziraj 48 vjeç (operator skaneri) si edhe Artur Sevdaraj 48 vjeç (imazhier skaneri).
Itinerari
Ajo është nisur në 20 shtator nga Porti “Puerto Bolivar” i Ekuador, 10 ditë më pas është ndalur në Panama, në portin ‘Cristóbal’. Destinacioni i radhës ka qenë Porti ‘Gioia Tauro’ në Itali ku anija ka qëndruar në këtë Port për 21 tetor. Në këtë datë, është nisur drejt Shqipërisë, ku ka mbërritur në Portin e Durrësit më 28 tetor, e ndërsa zbulimi i drogës është bërë, sot 3 nëntor.
Drogë në kontejnerët e ‘BanaKing’, rast i përsëritur
Kjo nuk është hera e parë në kontejnerët me banane të Kompanisë ‘BanaKing’ është gjetur drogë. Rasti më i fundit ka qenë në korrik të këtij viti. Kontejneri me banane u gjet i hapur dhe u zbulua se mungonin rreth 50 arka, të cilat dyshohet se kishin kokainë. Episodet me drogë në Portin e Durrësit janë të shumta
SPAK në Portin e Durrësit
Operacioni i quajtur ‘Again’, u realizua nga strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Portit Durrës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”. Në vendngjarje kanë qenë edhe prokurorë të SPAK.
Njoftimi:
Port, Durrës – Vijon operacioni policor i koduar “Again”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.
Operacioni u zhvillua nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Port Durrës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit.
Vihet në pranga administratori i kompanisë që priste ngarkesën me banane, brenda së cilës Policia gjeti 33.5 kilogramë kokainë.
Shpallet në kërkim presidenti i kësaj kompanie.
Në pranga edhe 2 punonjës të skanerit, në Portin e Durrësit.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për zbardhjen e rastit të trafikimit të 33.5 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, gjatë operacionit policor të koduar “Again”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
P. D., 57 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”;
A. N., 48 vjeç, banes në Tiranë, me detyrë operator skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsfikimi kompjuterik”;
A. S., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë imazhier skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Flasifikimi kompjuterik”.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi T. M., 53 vjeç, banues në Tranë, president i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij.
Arrestimi i 3 shtetasve dhe shpallja në kërkim e presidentit të kompanisë, u bënë në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, gjatë të cilit, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative që dispononte Policia e Shtetit, se në një kontenier me ngarkesë bananesh, për llogari të një kompanie në Tiranë, kishte lëndë narkotike, ushtruan kontroll të imtësishëm me qen antidrogë, pavarësisht se skaneri e nxorri të pastër ngarkesën me banane.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”.