Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka takuar liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Nju Jork, shkruan A2.
Në takim është diskutuar në lidhje me sfidat gjeopolitike, ndërsa theksi është vënë në nevojën për harmonizim strategjik me Bashkimin Evropian për ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Borrell ka thënë se Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e së ardhmes së Evropës, ndërsa ka theksuar rëndësinë e lidhjeve BE-Ballkani Perëndimor dhe ka përsëritur se “anëtarësimi në BE është i arritshëm, me kusht që reformat kyçe të ndiqen”.
Në njoftimin e shpërndarë nga Borrell thuhet se takimi ishte mundësi për të kujtuar nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese, derisa është përmendur rëndësia për fqinjësi të mirë të arritur përmes dialogut dhe kompromisit si hapa esencialë për integrim në BE.
“Udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për të çuar përpara aspiratat e tyre evropiane”, u shpreh Borrell.
Në takim ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, kryetari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beçiroviç, zëvendëskryeministri për Çështjet e Jashtme dhe Evropë i Malit të Zi, Filip Ivanoviç dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. (A2 Televizion)