Janë zhdukur tre dosje hetimore për krime të rënda. Kur u konstatuan, prokuroria ndjeu tronditje.

Zhdukja e tri dosjeve, dy për pastrim parash dhe një për abuzim me fondet e një rruge, ka çuar në dyert e policisë një prokurore të Elbasanit.

Burime nga policia thanë se mëngjesin e tri ditëve më parë, Armanda Xhaferri, ka konstatuar se në zyrën e saj mungonin tre fashikuj, që i kishin mbërritur nga Njësia Task Forcë. Një grup hetimor i ngritur enkas për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, ka këqyrur zyrën e prokurores Xhaferri, por nuk ka konstatuar thyerje nga jashtë.

“Ka dyshime të forta se fashikujt janë marrë nga punonjës të kësaj prokurorie, pa dijeninë e saj” – shprehen burimet policore.

Burimet sqaruan për se nga verifikimet paraprake rezulton se bëhet fjalë për një konflikt të lindur mes prokurores dhe drejtuesve të institucionit të akuzës në Elbasan.

Me firmën e titullarit, Prokuroria Xhaferri është transferuar në një seksion tjetër dhe sipas ligjit, duhet të bëjë dorëzimin e dosjeve që tashmë pretendohet se janë zhdukur.

Para hetuesve ajo ka pretenduar se bëhet fjalë për dosjet tejet të rëndësishme dhe me impakt të lartë publik, e për këtë arsye këmbëngul që hetimin e këtyre çështjeve duhet ta vijojë ajo.

Për këtë arsye, ka refuzuar të bëjë dhe dorëzimin e fashikujve, të cilët më pas nuk i ka gjetur në zyrën e saj të punës, por janë marrë prej andej nga administrata e prokurorisë dhe i janë dorëzuar një tjetër prokurori.

Sa u përket emrave të personave që po hetohen për pastrim parash e korrupsion burimet policore janë të rezervuara, por i paqartë mbetet konflikti i lindur në organin e akuzës.

Për momentin po hetohet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit”.

Veritas.com.al/