Po shndërrohet në një ‘telenovelë’ historia e vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut për të mos hapur negociatat, veto që ka mbajtur peng edhe Shqipërinë.

Së fundmi një nga liderët e koalicionit qeveritar në Bullgari, Slavi Trifonov, i partisë “Ka një popull të tillë” ka dhënë një tjetër version se si mund të hiqet vetoja bullgare. Ai ka deklaruar se Sofja mund të do ta bëjë këtë nëse Shtetet e Bashkuara heqin vizat për shtetasit bullgarë.

“Nëse amerikanët duan aq shumë që Maqedonia e Veriut të jetë në Bashkimin Evropian, qytetarët e Bullgarisë, si dhe qytetarët e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, nuk duhet të kenë nevojë për viza për të shkuar në Amerikë. Edhe ne duhet të jemi evropianë. Tani jemi më pak evropianë se evropianët e vërtetë. Kështu që, unë kërkoj që menjëherë të jemi pjesë e zonës Shengen dhe të mos ketë viza për Amerikë”, ka shkruar Trifonov në rrjetet sociale.

Ai nuk shprehet nëse partia e tij do ta dorëzojë zyrtarisht propozimin, por tha se “të gjithë po u bëjnë presion që të dorëzohen” lidhur me kontestin me Maqedoninë e Veriut. Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka mbetur pezull që prej qershorit të kaluar kur Bullgaria vuri veton për fqinjin e saj perëndimor duke penguar kështu edhe vendinj tonë.