Bullgaria do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 27 tetor, të shtatat në tre vjet, tha sot presidenti i vendit Rumen Radev, pasi partitë nuk arritën të bien dakord për një qeveri koalicioni.
Radev tha se një qeveri e përkohshme nën Dimitar Glaftsev do të betohet në parlamentin e Bullgarisë nesër, të martën, për të udhëhequr vendin në zgjedhje.
“Nesër do të nxjerr gjithashtu një dekret për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 27 tetor,” tha Randev pasi Glaftsev prezantoi qeverinë e tij te presidenti.
Bullgaria, një anëtare e Bashkimit Europian dhe NATO-s, ka parë qeveri të njëpasnjëshme që nga protestat kundër korrupsionit që çuan në vitin 2020 në dorëheqjen e një koalicioni të udhëhequr nga partia e qendrës së djathtë GERB.
Zgjedhjet e qershorit u mbajtën pas kolapsit në mars të një koalicioni që përfshinte GERB dhe PP. Të dyja palët janë përgjithësisht pro BE-së dhe pro tregut, por të rrënuara nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme dhe rivalitetet personale.
Bullgaria ka nevojë për një periudhë stabiliteti në mënyrë që të përmirësojë rrjedhën e kapitalit europian në infrastrukturën e saj të lëkundur.
Bllokimi politik po pengon gjithashtu planet e saj për të adoptuar euron dhe për të marrë pjesë plotësisht në zonën Shengen të Europës.