Frrok Çupi

‘Dritëza’ e parë që lëshoi mjeti i ri i djegies së plehrave ‘incenerator’, është dritëz mbi gjuhën, që gjuhëtarët e përkushtuar do ta quanin ‘dritëz të zezë’. Pse e zezë? Sepse fjala ‘incenerator’ mund të zëvendësohej në shqip me fjalën ‘djegës’ dhe prodhues dritash. Kjo është gjëja më e vogël; përderisa që nga viti 1947 kur u ngritën gjyqet komuniste, gjuha shqipe është ‘pasuruar’ më fjalët e huaja ‘socializëm’, ‘komunizëm’, ‘bolshevik’, revolucion’, ‘mikrofon’, etj. Sot gjuhëtarët dhe akademikët, e kanë të pamundur të korrigjojnë gjë edhe me rastin e ‘inceneratorëve’. Komisioni Hetimor Parlamentar, përfundimisht, fjalën e huaj e bëri pjesë të fjalorit të kudoshëm, që nga arat deri te doganat.

‘Dritëza’ e dytë:

E thashë se produkti i ‘djegësve’ shërben edhe për të ndezur llamba, dmth., për dritë. Kjo e dyta ndizet në frontin politik opozitar, që ishte fikur në vitin 2019, përfundimisht. Opozita, atëbotë, vendosi të djegë mandatet parlamentare, dhe iku jashtë sistemit. Zyrtarët e lartë të opozitës, në atë kohë, patën për qëllim që t’i fiknin dritën Drejtësisë; dhe prandaj ikën. Si fikej ajo dritëz që sapo ishte ndezur me iniciativën për Reformë të Drejtësisë? Liderët e Opozitës, i pari Berisha e pastaj Basha, vendosën të ‘djegin mandatet’, me qëllim që të neutralizonin Parlamentin ku do të votohej Reforma. Që atëherë nuk erdhën më në Parlament. Tani, të paktën, opozita ka hedhur ‘në koshin e plehrave të historisë’ ata që u korruptuan fort dhe dogjën mandatet. Ja ku është opozita, në Parlament; dhe ka ngritur një komision parlamentar! Fantastike!, opozita është këtu, më në fund. E mirë, e keqe…, fjala opozitare ja ku është. Me iniciativën e saj u ngrit Komisioni Parlamentar për Inceneratorët.

Ndriçimi i tretë që vjen nga ‘Shkrirësit’:

Demokracia u vu në funksionim. Opozita, në një sallë të vogël, e konsideroi veten ‘qeveri’ dhe thërriti qeverinë në përgjegjësi. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kryeministri bashkë me të gjithë ministrat, iu bind Opozitës në Komision dhe erdhi të dëshmojë. Asnjëherë nuk kishte ndodhur në qeveritë e mëparshme. Madje ka ndodhur (viti 2011) kur qeveria ka vrarë katër njerëz në bulevardin para selisë, por nuk pranoi të paraqitej në komisionin Hetimor Parlamentar. Ka ndodhur që kryeministri i asaj kohe të jetë thërritur në 500 raste për të dëshmuar para Hetimit, por kurrë nuk ka pranuar. As atëherë dhe as pas qeverisë së Ismail Qemalit, nuk ka ndodhur që qeveria të ‘ulë hundën’ para pakicës.

Me këtë rast, në shtetin tonë u vendosën dy standarde:

I pari që Opozita bën një punë publike dhe jo vetëm thashetheme, pas kaq vitesh.

E dyta, që kryeministri deklaron se përgjegjësia edhe e administratorëve të shtetit, është individuale. Kemi jetuar ‘sovjetizëm’ të gjatë, që nga viti 1945, deri në këtë Komision.

Llamba më e shëndetshme ishte kjo:

Kishte kohë që në mbarë vendin ishte përhapur lajmi tronditës se ‘Inceneratorët kanë gëlltitur 430 milionë euro!’. Lajmi nisi nga një kënd i panjohur, e mori media, ia kaloi politikës, politika e bëri të madhe dhe prapë- në media. Me të drejtë, me shifrën u tronditën shumë njerëz. Aq më tepër që u deklarua se edhe pse u shpenzuan ‘nga buxheti i shtetit 430 milionë’, megjithatë inceneratorët në Fier e në Elbasan ‘nuk punojnë’. Mbledhja e Komisionit Hetimor u prit me ‘frymë të ndalur’, se ku janë 430 milionë euro. Komisioni Parlamentar llogariti sy për sy se buxheti i shtetit kishte shpenzuar vetëm 55.3 milionë euro, jo 430 milionë. Dhe se inceneratorët funksionojnë çdo ditë. Pas kësaj u duk se do të ishte banale të përsëritej çfarë ishte thënë më parë në publik: Se si kishin udhëtuar disa njerëz me avionë; si kishin ngrënë dreka e darka; si ishin veshur në butique moderne, etj. Banalitet i madh, por që nuk u duk më. I vetmi banalitet, për të cilin kryeministri Rama veproi ‘smartly’ për ta mbajtur banalitetin në tabelë, ishte ky: Përfaqësuesja e Opozitës tha se ‘qeveria ka shpenzuar paratë për pastrimin e qyteteve deri në vitin 2047’(!). Mjerë kush të rrojë. Mirëpo edhe rënia e këtyre marrëzive në një Komision, ka vlerë. Nuk do të kishte vlerë pozitive sikur të shpifej dhe shpifja të mos qartësohej publikisht.

Një llambë mbi pasurinë:

Kjo hodhi dritë mbi tre kategori qytetarësh: Kategoria që ka menduar se pas inceneratorëve është pasuruar kryeministri dhe ‘një grup kriminal’. Kategoria që edhe po t’i thuash se ‘s’ka prova’, prapë të thotë se ajo sallë ‘ka vetëm hajdutë’. Kategoria e tretë, që i shikon shumicën e opozitarëve më të pasur se funksionarët qeveritarë. Njëri nga dëshmitarët, kryetar i Bashkisë Tiranë, Veliaj, i tha zonjës Tabaku (kryetare komisioni)  se është një nga ndërtueset e Tiranës dhe se ka interesa familjare në këto punë. Edhe kryetari Basha ndodhet nën vëzhgimin pse ka shtuar pasurinë dhe ku i gjeti 1 milionë euro që në moshën 25 vjeç. Po këta të shtetit? Nganjëherë krijohet ideja se opozitarët e duan pushtetin ‘me çdo mjet’, me qëllim që ‘tani e kemi radhën të vjedhim ne, siç vodhët ju’.

A mund të quhet ‘llambë ndriçuese’ një model që e kemi kaluar që në vitin 1947?

Kryetarja e Komisionit dukej se kishte ardhur nga prokuroritë e viteve 1947, kur në sallat e kinemasë dënoheshin ‘armiqtë e popullit’. Prokurori dhe armiku kishin qenë bashkë partizanë; por në sallën e gjyqit, prokurori e shikonte viktimën me zjarr në sy. Zonja Tabaku (Jorida) dha modelin e prokurores së vjetër, larg edhe modelit të prokurores së re Ina Rama që nuk arriti të akuzojë shkaktarin qeveritar të tragjedisë. Zonja Tabaku na çuditi me fjalorin e viteve të errëta: ‘Nuk kam ardhur të dëgjoj gënjeshtrat e tua’, ‘Je gënjeshtari më i madh’… Pastaj me konceptin jo- juridik se ‘i hetuari është i dënuar’; ‘a e njeh armikun?, ku e ke takuar? ’; konceptin se ‘kryeministri mban përgjegjësi për veprimet vetjake të ministrave’, se ‘e ke shok klase…’ të kërkuarin nga drejtësia.

Kjo na ndodhi në Komision.

Një llambë mbi median:

Politika djeg gazetarë!’. Kjo doli edhe nga Komisioni për Djegësit e Plehrave (Inceneratorë). Disa gazetarë që vet-shpallen si ‘të pavarur’ u kapën duke këshilluar me mesazhe në WhatsApp kryetaren e Komisionit: ‘fol kështu’, ‘mos fol ashtu’, ‘, jo përballë, dili anash’. Një turp për gazetarët. Politika po i djeg gazetarët. Sa e besueshme do të jetë media pas kësaj? Çfarë dileme e trishtë! Në Londër, sipas etikës së medias, nëse gazetari ‘kapet’ në një kafe me politikan, media ku punon e largon me vrik.

Fundi:

Edhe Komisionit i vjen fundi… Por a i vjen fundi çështjes?

Një gjë ka marrë fund në pjesën qytetare të Shqipërisë: Qytetet pastrohen si asnjëherë deri më sot.

Po paratë për të cilat flet opozita? Sot rrodhi thashethemi për 430 milionë; mbetën vetëm 50 e ca. U tha edhe se pastrimi i qyteteve bëhet me pagesë; padyshim duhet bërë pagesë për të pasur qytet të pastër.

Ndërsa një gjë tjetër pritet të ndodhë politikisht:

Komisioni do të dalë me dy raporte, dhe …, do të vazhdojë krenaria për Komisionin deri në zgjedhjet e vitit 2025