Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi i ndodhur në mes të ‘luftës’ së Partisë Demokratike ka paralajmëruar mosregjistrimin në zgjedhjet vendore të partisë më të madhe opozitare në vend. I pyetur nga gazetarët se cilin grup të PD-së do të regjistrojë në zgjedhje, atë të Sali Berishës apo atë të Enkelejd Alibeajt, Celibashi tha se duhet të zgjidhin këtë ngrëç që kanë mes tyre pasi rrezikon që asnjë palë të mos marrë pjesë në zgjedhje.
‘Për ne ka një PD, është një person juridik. Ngelet për tu parë se kush e ka tagrin për të vepruar në emër të PD. Do ishte mirë që kjo çështje të ishte zgjidhur. Flitet për një parti kryesore të opozitës dhe unë mendoj se sa s’është vonë gjithkush që në një mënyrë apo një tjetër që mund të kontribuojë në zgjidhjen e kësaj situate. Do të duhet të angazhoheni për të gjetur një zgjidhje, s’mund të bëjmë sikur s’po ndodh asgjë, pasi partia kryesore e opozitës mund të mos regjistrohet. Gjithsesi, do të duhet që secili prej faktorëve institucionalë dhe politik të angazhohet për këtë proces, nuk mund ta injorojmë, të shohim çfarë vendos KQZ dhe të veprojmë.”- tha ai.
Ndërkohë, kreu i KQZ njoftoi se votimi dhe numërimi elektronik për zgjedhjet vendore 2023 do të implmenetohet në Vorë, Elbasan dhe Kamëz. Vendimi u miratua ditën e sotme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi Këshilli i Ministrave miratoi fondin për të impelementuar këtë projekt pilot. Pra, për garën elektorale të 14 majit nuk do të jetë vetëm Vora zonë e votimit elektronik, ashtu si në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit të vitit 2022.