(FOTO: Babai i Lorencit, Gëzimi, sapo ka mbërritur pranë të birit në spitalin e Marsejës)/

Nga: Veritas.com.al/

Lorenc Beqiri është një djalë që tani nuk ka më fuqi as të luftojë me jetën. Është një djalë nga Shkodra, në moshën rreth 30 vjet. Ka bërë gabime, ka shkelur ligje dhe për këtë arsye Gjykata e ka dënuar me burg në një qytet të Francës, Marsejë…

Por kaq ishte dënimi: Burg! Jo torturë, jo vdekje.

Babai i tij e mori lajmin e tmerrshëm, bëri ç’bëri me disa lekë borxh dhe u nis drejt të birit në spital. Lorenci as merr as jep. Doktorët i kanë thënë se nuk i punon as zemra as truri. Gëzimi ka deklaruar se ‘nuk kam ç’e dua në jetë djalin në këtë gjendje’. Në fytyrën e djalit ka parë vragat e litarit, në duar litarë, në kokë e në gjoks e kudo- plagë të rënda hekuri. Djali as merr as jep. Aq jetë sa ka- e ka për shkak të aparaturave që i injektojnë oksigjen.

Pasionantët e lajmit të zi gjetën hapësirën për të thënë se ‘Lorencit ia hoqën aparaturat dhe ndërroi jetë”. Babit të tij, Gëzimit iu bë sikur ia vranë djalin për herë të dytë: “Jo, tha, jo, nuk ka vdekur djali im”. Deklaratën e bëri për të gjithë ata që e përhapën lajmin…

Ka disa ditë që mediat po shkruajnë mbi këtë ngjarje të rëndë. Por akoma nuk ka asnjë sinjal nga shteti shqiptar ndaj shtetit Francez.

Lorenc Beqiri ishte i dënuar nga gjykata në burgun e Marsejës. Një mëngjes, para tre ditësh, u shfaq as i vdekur as në jetë. E kishin rrahur, e kishin dhunuar deri në pamundësi për të treguar.

Po atëherë çfarë bën shteti?

Po të ishte Franca, ujin e zi do të nxirrte për një ‘Lorenc’ francez. Lorenci nga Shkodra ka fatkeqësinë që është shqiptar? Po a kemi qeveri ne, a kemi njëqind ministri, miliona e miliona euro që japim nga djersa për të mbajtur shtetin si garant të individit? Franca, edhe sikur ISIS ta kishte marrë peng qytetarin e vet, do të kishte bashkuar malet derisa ta nxirrte.

Ndërsa Lorenci shqiptar është mbajtur peng nga një shtet europianist, siç është Franca. A nuk paska mundësi që shteti shqiptar të flasë me shtetin Francez dhe të gjendet e vërteta, dhe të bëhet e pabëra për jetën e Lorencit? Aq më shumë që shteti shqiptar po ngre lumenj me dallgë entuziazmi se do të pranohet në radhët e BE ku është edhe Franca…

A është ‘Lorenci’ vitimë e drejtësisë në Europë? Drejtësia evropiane e dënoi me burg, caktoi edhe afate, caktoi edhe lehtësira të mundshme. Po vrasjen kush e caktoi? Lorenci ndodhej në duar të Drejtësisë dhe shtetit Francez, ku ndodhet edhe përgjegjësia.

Shteti shqiptar nuk po bën asgjë, as diplomacia, as Drejtësia! Ky është matësi i vlerës së shtetit për individin. Por kjo është edhe matëse për kotësinë e ekzistencës së shtetit kur nuk ndjehet në këtë rast.

Veritas.com.al/