Duke filluar nga 1 prilli, vlefshmëria për një vizë të re turistike apo biznesi do të zgjatet nga tre në dhjetë vjet për qytetarët shqiptarë.
 Kjo do të thotë se nëse jeni një qytetar shqiptar që merr një vizë turistike apo biznesi në 1 prill ose më pas, viza juaj do të jetë e vlefshme për dhjetë vjet, jo vetëm tre.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, nëpërmjet një video mesazhi në median sociale Facebook.

“Ndërsa festojmë 110 vjet marrëdhënie midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm të mrekullueshëm, që besoj do t’i sjellë amerikanët dhe shqiptarët akoma më afër së bashku”, do e niste lajmin Kim.

Ajo e ka vënë theksin te se çdo vit e më shumë shqiptarë po vizitojnë SHBA-të, ashtu si gjithnjë e më shumë amerikanë po vizitojnë Shqipërinë.

“Tashmë do ta bëjmë më të lehtë për shqiptarët, të cilët duan të vizitojnë miqtë dhe familjen në Amerikë, të shohin vendet tona dhe të ndërtojnë marrëdhënie biznesi”, u shpreh Kim.

Kjo e fundit ka theksuar se tanimë shqiptarët do të kenë mundësi të shkojnë në SHBA në bazë të ligjeve dhe rregullave përkatëse, pa pasur nevojë që të rinovojnë vizën deri në vitin 2032.

“Vendimi i SHBA-ve për të zgjatur vlefshmërinë e vizës në dhjetë vjet pasqyron faktin, që shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjekin rregullat kur vizitojnë SHBA-të”, vijoi Kim.

Sakaq ajo tha se, “shpresoj që të gjejmë akoma dhe më shume mënyra për të afruar shqiptarët dhe amerikanët së bashku”.

“Ne presim me kënaqësi që t’ju mirëpresim në SHBA dhe presim me kënaqësi dhe 100 vite të tjera si miq. Faleminderit!”, e përmbylli ajo mesazhin e saj.