Frrok Çupi/

Vetë zoti Berisha, ish president dhe ish kryeministër i Republikës, ka njoftuar sot se ndodhet në Budapest, i ftuar nga zoti Victor Orban, kryeministër i Hungarisë.

“Me ftesë të Kryeministrit hungarez Victor Orban, mbërrita në Budapest ku do të marr pjesë në një drekë pune së bashku me personalitete nga rajoni, në të cilën do të diskutohet për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, zhvillimet kyçe dhe aktorët kryesorë që ndikojnë stabilitetin e vendeve të tij dhe fillimin e një dialogu mbi këto çështje, mbi të cilin mund të ndërtojmë qëndrimet në PPE dhe Këshillin Europian”.

Fillimisht nga Nisma për Ballkanin:

Që nga viti 2014, BE drejtpërdrejt ose me anë të zonjës Merkel, ose me anë të zotit Gabriel, kanë ndërmarrë ‘nisma mbi Ballkanin Perëndimor’.  E fundit që po konsiderohet e dështuar është nisma e fundit e ministrit gjerman Gabriel ‘Berlin Plus’.  Ky projekt ka për qëllim dhënie fondesh qeveritare për teknologjinë dhe infrastrukturën; por me një pamje shumë të turbullt çfarë do të bëhet.  Edhe ideja e zonjës Merkel për të bërë bashkë kaëtr kryeministra të Ballkanit perëndimor kundër Rusisë në rajon, u bë si vesa në lëndinë. Në njoftimin e zotit Berisha se në Budapest po diskutohet ‘për zhvillimet e Ballkanit Perëndimor’, krijon imazhin e një projekti tjetër; por ky me ndryshime të mëdha. Ndryshimi thelbësor është se nisma merret nga konservatorët evropian që tashmë përbëjnë trendin më të fuqishëm politik në Europë dhe në Perëndim; zoti Orban ndodhet në krye të djathtistëve populistë.

‘Oborri’ i Shtëpisë së Bardhë:

Sigurisht nuk bëhet fjalë për “kopshtin e Trëndafilave”, por për një kryeqytet kaq të vjetër mbi Danubin e kontinentit, që ka marrë rolin e portës për në Shtëpinë e Bardhë dhe kolonat e tjera të konservatorizmit perëndimor. Budapesti, me Orban, po iu qëndrojnë fort politikave të emigracionit masiv, të qeverive arrogante dhe elitave të padobishme në Europë. Gjeografikisht ndodhet në pozitën ku Lindja takon Perëndimin dhe politikisht- aty ku Sovjetizmi u ndesh në pengesën më të fortë drejt Perëndimit… (Si edhe sulltanati dikur u ndal nga Huniadi për të depërtuar mbi vlerat e Europës). Orban ka urdhëruar ndërtimin e murit për mbrojtjen e vendit nga emigracioni masiv i lëshuar ‘pa fre’ prej liderëve të BE. Ai qëndron krahas vlerave të presidencës së Trump dhe Brexit. Pro- Brexit-izmi dhe pro- Trump-izmi në Lindje dhe në BE gjenden me pikatore. Ftesa e Orban për zotin Berisha dëshmon se ai e ka ‘pikasur’ kolegun me cilësitë e një politikani që i zhvillon këto vlera.

Çfarë do të flitet kokë më kokë?

Në eventin e Budapestit është parashikuar edhe një takim një orë kokë më kokë mes kryeministrit Victor Orban dhe Sali Berisha. Thelbi i bisedës veç mund të ‘ndërtohet’ në letër sipas prirjeve që ka politika, sidomos përplasjet mes liberalëve dhe konservatorëve në kontinent. Por çfarë duket se ndodhet në tryezë janë influencat e politikave të Soros në rajon dhe Shqipëri, ndihma ndaj forcave konservatore dhe djathtizmit sidomos në një vend si Shqipëria ku komunizmi rrënoi thellë vlerat, zgjedhjet e 25 qershorit dhe projekti për më vonë…

Më duket se ky takim ishte ‘prodhimi’ më i rëndësishëm i politikës së këtyre ditëve.

Veritas.com.al/