Në një reagim publik, kryeministri Edi Rama ka vënë në shënjestër gjyqtarin Klarent Demiri, pas vendimeve të tij për të penguar ekzekutimin e çlirimit të një toke të zënë në mënyrë të paligjshme. Rama u shpreh se Demiri ka marrë jo një, por dy vendime të tilla, duke u shquar si gjyqtari i parë që bie hapur ndesh me interesin publik dhe programin e qeverisë për hapësirat publike.

Kryeministri theksoi se qeveria nuk do të qëndrojë më “as në heshtje, as duarlidhur” përballë gjyqtarëve që, sipas tij, keqpërdorin pavarësinë për të penguar pushtetin ekzekutiv dhe projektet në interes të qytetarëve.

Ai paralajmëroi se rasti i gjyqtarit Demiri do të ndiqet në të njëjtën mënyrë si ai Gjelit dhe Balliut, duke iu drejtuar organeve të pavarura të kontrollit të gjyqësorit. Rama shtoi se pret nga këto institucione të dalin nga “zona e komfortit”, duke treguar përkushtim dhe kurajë në zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Edi Rama: Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE.

Një gjë është pak po e sigurtë, ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së tyre zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut

Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për Gjelin dhe për Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *