Frrok Çupi/
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i sapo zgjedhur President i Republikës, ka deklaruar sonte në emisionin televiziv ‘Top Story’ se është ‘i gatshëm të jap dorëheqjen’ si president i Republikës, nëse kjo do t’i shërbente ‘zgjidhjes së krizës politike’. Presidenti i zgjedhur nuk e ka lënë deklaratën me kaq pak fjalë, por ka prurë argumente sa nga kualitetet e tij personale të ‘asaj që thotë dhe bën’, ashtu edhe nga konstitucioni i Republikës. Ai tha se ju e dini sa ‘i kujdesshëm jam me deklarata’ edhe si kryetar i LSI. Ndërkohë i bëri edhe një ‘nder’ kryeministrit Rama duke deklaruar se ‘nuk mund të them se ai nuk bëri përpjekjet e tij aq sa mund të bëhen’.
Pas kësaj ai e ‘nguli’ më thellë në kujtesën e dëgjuesve se ‘nëse duhet posti i Presidentit të zgjedhur, unë jap dorëheqjen’.
Çfarë ka ndodhur me deklaratën ‘bombë’ të dorëheqjes së Presidentit akoma pa nisur zyrtarisht detyrën e lartë?
Zoti Ilir Meta është shfaqur në publik me ‘dorëheqje’ vetëm disa orë pasi përcolli nga zyrat e tij një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, që po vizitojnë shtetet Ballkanike duke hetuar ‘demokracinë dhe rolin e George Sorosit’ në krijimin e vatrave të të majtës sorosiane dhe konflikteve në zonë. Me këtë ‘ngarkesë’ vizituan dhe hetuan në Maqedoni ku ka një ndeshje të hapët mes sorosianëve dhe konservatorëve, derisa e kanë larë në gjak sallën e Parlamentit. Kanë vizituar Kosovën ku prej disa orësh nuk ka më qeveri, sepse majtistët kanë fituar me të djathtën trashëgimtare të Ibrahim Rugovës. Vizituan edhe Shqipërinë, ku evituan të takohen me kryeministrin Rama, i cili njihet si mik i afërt i George Soros. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në protokolle të shteteve moderne. Në Shqipëri ata u takuan vetëm me presidentin në detyrë, Nishani, me kryetarin e Opozitës në protestë- Lulzim Basha dhe me presidentin e zgjedhur, Ilir Meta. U larguan pa ‘zë’, madje me një deklaratë të shkurtër dhe të shurdhër të ambasadës Amerikane, dhe kaq. Me sa duket jehona e vizitës së Kongresit u ndje pas disa orësh, kur Meta tha se ‘jam gati për dorëheqje’. Një gjë që ra në sy në takimin e Kongresmenëve Republikanë me Metën ishte kjo: Ata i sollën urime si ‘President’ nga Paul Rayan i Kongresit dhe jo nga Donald Trump si president për presidentin.
Ilir Meta është zgjedhur president i Republikës vetëm me votat e njërit krah politik, dmth., të të majtës në pushtet. Askund në botën demokratike nuk mund të pranohet një president i zgjedhur ‘fshehurazi’ prej anës tjetër, që është opozita e djathtë. Presidenti Meta nuk mund të rezistojë si i zgjedhur në këtë mënyrë. Aq më shumë që u prishën balancat e pushtetit, sepse presidenti do t’i takonte opozitës së diskriminuar nga pushteti. Të jetë kërkuar dorëheqja direkt nga Kongresi i Shteteve të Bashkuar përmes ‘të falave’ nga zoti Rayan?
Ilir Meta, duke paraqitur ‘dorëheqjen’ si President i zgjedhur, siç tha- u tregua ‘i kujdesshëm në deklarata’, por veçanërisht ndaj kryeministrit Rama, që dihet se nuk janë miq, por aktojnë secili mbrapa kurrizit të secilit. Deklarata aq pompoze sikur ‘Rama bëri përpjekjet e tij aq sa mund të bëhen’, nuk është bërë kurrë prej tij. Zoti Meta nuk e ka zakon pompozitetin në deklarata, veç rasteve kur është në pozitë shumë të vështirë, si para Dritan Priftit, para gjyqit dhe para katër të vrarëve në sheshin ‘Dëshmorët e Kombit’ që po protestonin për shkak të ‘bllokut të Metës’. Pompoziteti i kësaj radhe dedikuar Ramës duket se ka prapa saj dorëheqje reale. Pas dorëheqjes si president, zoti Meta e shikon veten ‘të zhveshur’ dhe i duhet mbrojtja e Ramës, i duhet si oksigjeni. Prandaj sot i lëshon ‘brezin’, dmth., koncesione.
Pse e ka frikë Ilir Meta Edi Ramën? Për t’i shpëtuar kësaj frike, Meta u strehua në Presidencën e Republikës dhe mendoi se kaq ishte. Mirëpo u ndodh para një realiteti tjetër, që për hir të të vërtetës, e zbuloi e para gruaja e tij politikane, Monika. Ajo u nxi kur mori vesh se Iliri u bë President. Një mendje gruaje e di se nuk ka fshehje në Presidencë. Me sa duket çifti Meta u kthjellua dhe shikoi se çfarë mund t’u bëjë Rama. Nëse Rama ka ndërmend të burgosë Ilir Metën- siç thuhet gjerësisht- këtë e bën më mirë nëse Meta ndodhet në postin e Presidentit. Atëherë zoti Rama do të thërrasë para gjithë botës si fitimtar që ‘burgosi Presidentin e Republikës” dhe jo thjesht qytetarin Meta. Do të shpallej kampion i luftës kundër korrupsionit, pse burgosi Presidentin…
Me sa duket, çifti, por jo veç Meta, e kuptoi këtë dhe paraqiti dorëheqjen ‘për hir të krizës politike’.
Por me një dorë te ‘ungjilli’ Rama… Sa kohë që nuk mundi të kapë përkrahjen e amerikanëve, të paktën të ketë Ramën me vete….
/Veritas.com,al/