“Opozita nuk është për të bërtitur. Ka ikur koha e opozitave që bërtisnin’, tha Lulzim Basha në një intervistë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, la të kuptojë shumëçka në një intervistë lidhur me atë që po vlon në debatin politik të ditës; A ka një afrim mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Basha u pyet nëse i druhej një “prilli të dytë ngjalash”, siç ndodhi pak vite më parë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, duke finalizuar bashkëqeverisjen.

“Lajme sensacionale me ngjala me karavidhe në kohë pandemie nuk merrem”, u përgjigj shkurt Basha

Gjatë intervistës, Basha tha gjithashtu se nuk do të ketë më një opozitë që bërtet. A ishte ky një shigjetim për opozitën e mëparshme të Sali Berishës? Apo për opozitën e Ilir Metës?

“Opozita nuk është për të bërtitur. Ka ikur koha e opozitave që bërtisnin. Ka ardhur koha e një opozite që formulon qëndrime, kundërshton padrejtësitë, denoncon aferat, jep alternativën. Këtë opozitë duan qytetarët sot, këtë opozitë udhëheq unë. Opozita që ulërinte nga maja e kokës nuk ekziston më.

Atyre që u vjen keq u kërkoj falje; s’ka më opozitë që ulërit. Ka opozitë që ngre zërin kundër padrejtësisë, ka opozitë që denoncon, ka opozitë që proteston dhe ka bërë protestat më të fuqishme që ka parë Shqipëria në 30 vite? Opozita në vitin 2020, opozita shqiptare i ka dhënë shqiptarëve prova të qarta se ne udhëhiqemi nga interesi i tyre.

Nuk kemi interesa as të një grushti njerëzish as të ardhjes dhe zënies së disa karrigeve. Se në fund të fundit pandemia ishte një kërcënim i tmerrshëm i cili u shpalos për shkak të dështimit të qeverisë për tiu përgjigjur në kohë me një furi dhe shpejtësi shumë të madhe tromaksi dhe vazhdon të tromaksë shumë njerëz”, tha Basha.

Ai iu përgjigj zërave që e kritikojnë se qëndrimi i opozitës me propozime për të dalë nga kriza për Qeverinë nuk cek thelbin e problematikës, që është keqqeverisja e vendit.

“Opozita nën drejtimin tim ka marrë vendimin e duhur jo për të mos bërë politikë por të fokusuar gjithë politikë bërjen e saj tek prioritetet kombëtare të atij momenti që ishte ruajtja e shëndetit, e jetës, e sigurisë dhe e mirëqenies të qytetarëve. Nuk ka gjë më politike sesa në këto momente opozita të propozojë përpara një qeverisje të çoroditur”, deklaroi kreu i PD-së.

Basha është i bindur se pandemia shpërfaqi edhe më tej autoritarizmin e Edi Ramës në qeverisje.

“Ne përpara pandemisë ishim në kushtet e një autoritarizmi dhe pandemia vetëm e nxori në pah edhe më shumë autorizimin dhe atë që unë e kam quajtur regjimi i Facebook-ut. Por përgjegjësia e parë nuk ishte të tregonim me gisht që kemi një kryeministër që qeveris nga Facebook-u, apo nuk qeveris fare, kemi një qeveri që përfaqëson interesat e 10 shqiptarëve dhe jo të 3 milionë shqiptarëve, të 10 oligarkëve dhe jo të 3 milionë shqiptarëve, sepse këto janë gjëra që sado që të qëndrojnë më 11 mars, 15 mars nuk kishin vlerë të madhe për shqiptarët, ndërsa propozimet tona të paktën e vunë nën presion qeverinë”, vijoi ai.

Kryeopozitari përsëriti thirrjen për mbylljen e fasonerive dhe shtimin e lëvrimin e ndihmës financiare për qytetarët në nevojë.

 

“Mjaftoi një fasoneri në Krujë që të infektonte me përmasa të llahtarshme Bashkinë e Krujës, Bashkinë e Kurbinit dhe e shpërndau deri në Mat, por mbi të gjitha për të luftuar pandeminë ekonomike, sepse vendi tani po lëngon. Në qoftë se para krizës 1 në 2 familje shqiptare nuk mbyllnin dot muajin, imagjinoni se çfarë ndodh tani, ku edhe ata që merrnin 300-400 apo 500 mijë lekë ose si të punësuar apo të vetëpunësuar kanë tani më shumë se 6 javë që nuk kanë asnjë të ardhur”, shtoi ai.

VERITAS.COM.AL