Një ditë pas vendimit të Presidentit Meta, për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe një ditë para konferencës për shtyp që Meta do të mbajë në orën 8 të mëngjesit të nesërm për të shprehur argumentet e çdekretimit të zgjedhjeve, deputetët e rinj që fituan mandatin e të ikurve nga LSI në Kuvend, janë bërë bashkë në një drekë në qytetin e Durrësit.

Këtë e ka bërë të ditur deputeti Lefter Koka me anë të një fotoje të shpërndarë në rrjetet sociale ku shihen së bashku deputetët e grupit të pavarur parlamentar. Koka ka dhënë edhe një mesazh për kundërshtarët politik madje edhe për anëtarët e LSI që janë jashtë Kuvendit duke thënë se Shqipëria do të ecë vetëm përpara.

“Shqipëria do të ecë vetëm përpara! I detyrohemi shqiptarëve rrugën e pakthyeshme të integrimit euro-atlantik të atdheut!” shkruan Koka.

Ndërkohë i kontaktuar nga Shqiptarja.com, deputeti i LSI, Ralf Gjoni ka deklaruar se nuk ka ende një qëndrim për vendimin e Presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet. Më pas ai ka shtuar së dreka ishte e planifikuar për krijimin e grupit të LSI-së.

“Nuk kemi qëndrim ende. Të dielën Zoti e ka bërë pushim. Ne jemi mbledhur në një drekë të planifikuar kohë më parë për të festuar krijimin e Grupit të Pavarur. Gjatë ditëve në vazhdim do qartësojmë edhe qëndrimin tonë në parlament” ka thënë ndër të tjera Ralf Gjoni.

Veritas.com.al/